Basha denoncon në SHBA: Në Kuvend ka njerëz të inkriminuar
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u prit në Washington nga drejtuesit e lartë të Këshillit të Atlantikut. Në këtë takim të konceptuar si seancë dëgjimore, kreu i opozitës iu përgjigj interesit të zv/Presidentëve të Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson dhe Fran Burwell, anëtarëve të bordit, Ian Berzinski dhe Frank Kramer mbi situatën politike dhe zhvillimet në Shqipëri dhe rajon. E në veçanti mbi ecurinë e procesit të dekriminalizimit, luftën kundër korrupsionit, zgjedhjet, reformën në drejtësi dhe rolin e Shqipërisë në NATO, çështje të sigurisë, luftës kundër terrorizmit etj.
Sipas kruet të PD është e paprecedentë për një vend demokratik dhe aq më tepër një vend anëtare të NATO-s që në Parlament të ulen njerëz me rekorde kriminale, të dënuar për trafik të qenieve njerëzore, trafik droge, plagosje me dashje, siç ka ndodhur në Shqipëri me bekimin e kryeministrit.Sot në Shqipëri ka një përballje jo mes socialistëve dhe demokratëve por mes shumicës dërrmuese të qytetarëve nga njëra anë dhe një grushti oligarkësh të cilët kanë futur në duart e tyre pasuritë publike, paratë e qytetarëve dhe janë të vetmit përfitues të tenderëve dhe koncesioneve.
Shqipëria dhe shqiptarët janë sot para një sfide të madhe: Të largojnë të inkriminuarit nga politikbërja dhe administrata, të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të rikthejnë shpresën në vend. Këto sfida nuk janë të lehta. Ky grup oligarkësh që kontrollon pasuritë e Shqipërisë do të kërkojë me çdo kusht të deformojë vullnetin e zgjedhësve, siç bëri në 2015-ën duke blerë vota, kërcënuar votuesit. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është implementimi i ligjit të dekriminalizimit. Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe reforma në drejtësi janë prioritet i çdo shqiptari, përtej simpative partiake”, – mësohet të jetë shprehur Basha
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se Këshilli i Atlantikut duhet të jetë i pranishëm në Shqipëri për të parë nga afër problematikën dhe për të ndihmuar në formulimin e zgjidhje të qarta dhe afatgjata që garantojnë siguri.