Zgjedhjet e reforma në drejtësi, Rama: 2017, vit interesant
Kryeministri e cilësoi si interesant 2017-n. Në analizën e tij të shkurtër bërë në pritjen e fundvitit me ambasadorët dhe përfaqësues të trupit diplomatik të huaj në Tiranë, Edi Rama u ndal tek zgjedhjet, marrëveshja e 18 majit dhe reforma zgjedhore.
“2017 ishte një vit interesant, me një proces zgjedhor që u zhvillua me shumë qetësi, larg konflikteve tradicionale, edhe pse mbërrinte nga një konflikt goxha artificial që cenoi jetën parlamentare dhe ecurinë e vendit, edhe ekonomike”, u shpreh ai.
Sa i takon marrëveshjes me Bashën…
“Marrëveshja reflektoi atë potencial të jashtëzakonshëm dhe rezervë të pashfrytëzuar që mbart politika shqiptar epër të realizuar gjëra që mund të duken të pamundura përmes bashkimit në momente kyçe dhe bashkimit në funksion të aspiratave të shqiptarëve”, deklaroi Rama.
Ky vit shpërfaqi, sipas Kryeministrit, vështirësitë për zbatimin e reformës në drejtësi.
“Na tregoi edhe sesa e vështirë është rruga e zbatimit të reformës në drejtësi, porse po ashtu zbatimi i kësaj reforme është një proces i pakthyeshëm. Humbëm disa muaj për të nisur procesin e vettingut, por varet sesi e shikon. Mund të quhet kohë e humbur në raport me shpejtësinë tonë, sepse mos harrojmë që në dy vjet kemi ndryshuar kushtetutën e vendit, kemi miratuar ligje të reja dhe i kemi hapur rrugë krijimit të një ngrehine të re të sistemit të drejtësisë”, vijoi ai.
Kryeministri deklaroi se politika shqiptare ka shumë arsye për të debatuar me njëra-tjetrën, por integrimi dhe çelja e negociatave nuk bën pjesë tek këto arsye. Ai ftoi sërish për dialog opozitën për reformën në drejtësi në shërbim të integrimit.
LEXO TE NGJASHME