Zgjedhje në degët e PS, krerët që dështuan në 25 qershor përjashtohen
Asambleja e Partisë Socialiste ka vendosur që të bëhen zgjedhje në nivelet më të ulëta të partisë. Ky proces do të ndodhë në dy faza. Një palë zgjedhje do të bëhen në fund të këtij muaji kur anëtarët e Partisë Socialiste do të zgjedhin krerët e secilës njësi të PS-së ose qendre votimi, të quajtura ndryshe organizata. Ndërsa zgjedhjet e mëvonshme do të mbahen përgjatë 15 ditëve të para të muajit nëntor dhe gjatë këtij procesi socialistët do të zgjedhin krerët e njësive administrative (njësitë e ish-komunave). Partia Socialiste ka 1480 organizata dhe 308 njësi administrative. Mandati i krerëve aktualë është duke përfunduar dhe socialistët gjatë javëve në vijim do të do të zgjedhin drejtuesit e rinj.
Por Asambleja e Partisë Socialiste, në mbledhjen e së shtunës vendosi që të mos u jap një shans të dytë disa drejtuesve të organizatave dhe njësive administrative për t’u zgjedhur sërish. Kriteri përjashtues është rezultati i dobët që ata kanë marrë në zgjedhjet e 25 qershorit të këtij vitit krahasuar me ato të vitit 2013. Siç duket Asambleja e Partisë Socialiste ka identifikuar humbësit në radhët e organizmave të ulët, siç janë drejtuesit e organizatave ose qendrave të votimit dhe drejtuesve të njësive administrative.
Burime nga Partia Socialiste bën me dije se krerët në nivel bashkish nuk do të preken përkohësisht, edhe pse ata tashmë janë të vendosur në rreth të kuq si humbës në zgjedhje. Për drejtuesit sipas njësive bashkiake mund të ketë një vendimmarrje të dytë, pasi të zgjidhen dy nivelet më të ulëta. Ndërkaq, Sekretari Organizativ i PS-së, Bashkim Fino deklaroi në mbledhjen e Asamblesë se janë 10 krerë degësh që duhet të rregullojnë “dy punësimin” e tyre. Sipas urdhrit krerët e degëve të PS-së që njëkohësisht janë të punësuar në një post tjetër si prefekt apo drejtorë të një institucioni, duhet të heqin dorë prej njërit nga funksionet. Kjo do të ndodh brenda këtyre 10 ditëve.
Njësitë që pësuan humbje
Raporti konfidencial i Partisë Socialiste ka identifikuar 16 bashki ku PS-ja ka marrë më pak vota krahasuar me zgjedhjet e 2013-ës, kur socialistët morën qeverinë pas 8 vitesh në opozitë përball PD-së e drejtuar prej ish-kryeministrit Sali Berisha. Ndonëse mori një rezultat të paparashikuar me 74 mandate deputetësh, në disa bashki socialistët morën më pak vota se zgjedhjet e kaluara dhe janë pikërisht këto njësi ku krerët janë të skualifikuar automatikisht nga gara.
Kështu, performancë negative elektorale patën dega e PS-së së Shkodrës me 2,285 vota më pak, ajo e Vaut të Dejës me -547 vota, e Pogradecit me 1,524 më pak vota, PS-ja e Pustecit me 127 vota më pak krahasuar me zgjedhjet e 2013-ës. Performancë të dobët ka marrë edhe Partia Socialiste e njësisë bashkiake Devoll me -2,340 vota, e Cërrikut -1,162 vota, Peqini po ashtu pësoi humbje me -2,957 vota, e Përrenjasit minus 485 vota, PS-ja e Kuçovës me minus 465 vota, e Skraparit me 226 vota më pak, e Dibrës me 1,452 vota më pak, e Këlcyrës me 387 vota humbje.
Në njësinë bashkiake të Kavajës socialistët humbën 1,939 vota krahasuar me vitin 2013, Kamza pësoi po ashtu humbje me 353 vota më pak dhe e Rrogozhinës me 477 vota të humbura. Fushata e Partisë Socialiste udhëhiqej nga ministrat ose koordinatorët, të cilët ishin të shpërndarë në të gjitha qarqet. Por duket se PS-ja e sheh përgjegjësinë vetëm në nivel të drejtuesve të organizatave dhe të njësive administrative dhe aspak tek koordinatorët, që pasi pavarësisht humbjes në elektorat ata sërish janë ministra si, Arben Ahmetaj i cili drejtoi njësinë e Kavajës apo Ditmir Bushati që drejtoi Shkodrën.
LEXO TE NGJASHME