Kongresi i PS-së, Blushi propozon 8 parime
Ne prag të zhvillimit të Kongresit të Partisë Socialiste, deputeti Ben Blushi, ka propozuar disa ndryshime, të cilat bien në kundërshtim me politikat e kreut të kësaj force politike, Edi Rama. Blushi kërkon miratimin e 8 parimeve të prezantuara prej tij.
“Tetë propozimet e mia të miratohen nga kongresi, pasi synojnë një reformë modernizuese për funksionimin e partive politike. Propozimet kanë ardhur nisur nga vendimi për rishikimin e statutit të PS, dhe nisur nga shkeljet e shumta të statutit. Parimi i parë që propozoj lidhet me shtetin social, pasi PS duhet të përcaktohet se për çfarë parimesh qëndron. Ç’mund të ofrojë PS për mirëqenie dhe shtet social.
PS duhet të përcaktojë shtresat shoqërore që ajo mbron, pasi në Shqipëri, ka pabarazi, pak mundësi për shërbime. Papunësia është rritur dhe ndaj shqiptarët po largohen jashtë vendit. PS është e deklaruar si e majtë demokratike, dhe këtë duhet ta respektojë.
Partia socialiste të respektojë parimet bazë dhe të angazhohet për një zhvillim të qëndrueshëm. Kjo parti duhet të kundërshtojë politikat në dobi të të privilegjuarve”, theksoi deputeti Blushi.