Opinioni i Venecias: Opozita të ketë përfaqësim në proces
Komisioni Venecias u ka dërguar palëve politike në Tiranë opinionin final për Reformën në Drejtësi. Pikat më të nxehta që kanë të bëjnë zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, atij të Prokurorisë dhe Këshillave të tjerë që do të krijohen, u lihen për zgjidhje politike palëve të përfshira në proces, me sugjerimin që opozita të ketë pjesëmarrje substanciale në këto organe
“Nqs se palët politike të përfshira në proces nuk bien dakord me një shumicë të caktuar të cilësuar për zgjedhjet në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, atë Prokurorisë, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Posaçëm të Kualifikimit në Gjykatën e Lartë Lartë, atëherë duhet të zgjidhet një sistem proporcional, që garanton që opozita të ketë përfaqësim në këto organe kolektive, apo çdo model tjetër të përshtatshëm, që garanton që opozita të ketë ndikim në procesin e përzgjedhjes.”
Për Prokurorinë Speciale të njësisë që do të hetojë korrupsionin në nivele të larta, Venecia rekomandon se duhet të specifikohet metoda e emërimit dhe mekanizimi i llogaridhënies. “Drafti duhet të parashikojë mënyrën e emërimit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe mekanizimin e llogaridhënies për të.” Venecia po ashtu kundërshton ndërprerjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm.
“Komisioni i Venecias rekomandon se Mandati i Prokurorit të Përgithshëm duhet të përfundojë në gjysmën e dytë të vitit 2017”. Sa i përket Ministrit të Drejtësisë, Venecia rekomandon se duhet të shihet roli i kreut të këtij dikasteri në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.