Plani i ri për turizmin, Rama: Të gjithë hotelet me impiant për ujërat e zeza
Planin për një Shqipëri turistike edhe më të mirë vitin e ardhshëm qeveria duket se e ka gati, të paktën kryeministri Edi Rama i ka të qarta idetë se çfarë duhet përmirësuar.
“Vitin tjetër do kemi një sezon sh më cilësor në shumë aspekte, në të gjitha anët. Do kërkojmë që të gjitha hotelet dhe të gjitha njësitë e shërbimeve që kryejnë shërbime në bregdet deri në maj të vendosin kuratorët e ujërave të zeza. Asnjë hotel nuk do të hedhë ujërat e zeza në det apo të vazhdojë me gropa skeptike. S’ ka më. Ndryshe, nuk do të kenë mundësi të hapin derën. Do ngremë sistem pastrimi komplet të ri për të gjithë vijën bregdetare, që do t’i ketë bashkitë partnere, por që nuk do t’ia lërë përgjegjësinë vetëm bashkive”, tha Rama.
Pastrimi i bregdetit, duke nisur nga vera e vitit 2018, do të jetë në dorë të qeverisë, pasi bashkitë nuk i kanë kapacitetet e nevojshme: “Nuk është një fushë që mund ta mbulojnë bashkitë këtë. Kanë të drejtë që ankohen. Është një fushë që do ta marrë në kontroll qeveria dhe do të bashkëpunojë me bashkitë për elementë të caktuar. Si mund të pastrojnë bashkitë me efikasitet bregdetin duke pasur parasysh që taksa e pastrimit që ata mbledhin është për administrim normal të një territori me një popullsi të caktuar? Dhe rritja e saj për shkak të sezonit, e bën të pamundur të administrohet i gjithë sistemi. Kërkon ndryshim”.
Sa i takon rasteve tragjike të humbjes së jetës në det apo në zona turistike gjatë sezonit veror, kryeministri tha se shkak për to nuk është mungesa e rojeve bregdetare.
“Mesa di unë, shumica e rasteve kanë ndodhur në plazhe të paautorizuar. Dikush shkon larg dhe pëson infarkt, kësaj nuk ke çfarë i bën. Nuk ka ndodhur si pasojë e mungesës së rojeve bregdetare. Por, këtë çështje do ta fusim në standartin e vitit të ardhshëm. Kemi një plan të mirë vitin e ardhshëm për ta përmirësuar këtë situatë. Do ia dalim”, theksoi Rama.
Sipas kreut të qeverisë, plani për turizmin 2018 do të përfshijë edhe shumë elementë të tjerë për t’i siguruar turistëve vendas dhe të huaj jo vetëm det, diell dhe ushqim, por edhe traditën shqiptare, aktivitete argëtuese dhe më shumë vëmendje për fëmijët.
LEXO TE NGJASHME