Ministri i Drejtësisë: Bisedimet janë mënyra e komunikimit. Greva? Kur të mos jem ministër do të jap opinionin tim
Manjani – “Bisedimet dhe dialogu janë mënyra e duhur e komunikimit. Tek unë, si ministër, Dhoma e Avokatisë do të gjejë një partner. Jam gati të ulem të çelim diskutimet dhe të hapim temën e dialogut”
Bojkoti – “Këshilli drejtues, në mënyrë unanime, të shpallë ditën e mërkurë, të enjte dhe të premte, datë 24, 25 dhe 26 shkurt 2016, ditë bojkoti në rang vendi, për të gjitha proceset gjyqësore dhe hetimore”
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka dalë ndërmjetës mes avokatëve dhe qeverisë, për të rinegociuar përcaktimin e pagesave mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve. Ai thotë se bisedimet janë mënyra e vetme e komunikimit, ndërsa nuk ka dhënë një mendim nëse protesta e tyre është apo jo e drejtë. Ndërkohë, dje ishte dita e dytë e grevës, ku u pezulluan mijëra procese civile e penale në të gjithë vendin. Protesta nuk ishte në unison, pasi tek-tuk, avokatët kanë shkelur vendimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Shoqata e Avokatëve Penalistë kërkoi procedimin disiplinor për një gjyqtar, i cili mori pjesë në një seancë gjyqësore. Nga ana tjetër, protesta do të jetë edhe ditën e sotme, ndërsa avokatët pohojnë se nuk do të ndalen këtu, duke e çuar vendimin e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese. Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë paralajmëroi qeverinë që të rishohë edhe njëherë vendimin, para se protesta të përshkallëzohet, duke vendosur një grevë pa afat.
Ndërmjetësi
Edhe dje, ashtu si një ditë më parë, sallat e seancave gjyqësore në të gjitha gjykatat e vendit ishin të boshatisura. Gjyqtarët dhe prokurorët kanë qenë prezentë në gjykatë vetëm për disa minuta, ndërsa janë paraqitur edhe palët në këto procese. Ndonjë avokat ka qenë në gjykatë dhe, duke njoftuar trupin gjykues, ai është tërhequr nga gjykimi. Mungesa e mbrojtësve ligjore për personat që kanë bërë shkelje penale apo administrative ka paralizuar sistemin e drejtësisë. Qytetarët, megjithëse kanë paguar avokatë, nuk kanë pasur në krah të tyre një mbrojtës ligjorë, duke rrezikuar një proces sa më të drejtë. Mësohet se të vetmet gjyqe që janë zhvilluar kanë lidhje me masat e sigurisë personale, ku avokatët kanë qenë të pranishëm. “Prania ime në masën e sigurimit është e domosdoshme, pasi nuk mund t’i braktisim njerëzit”, thotë një avokate në Shkallën e Parë. Ndërkohë, e njëjta situatë është edhe në Apel dhe në Gjykatën e Lartë. Në Gjykatën Supreme, ditën e djeshme ishte parashikuar gjyqi i ish-deputetit Mark Frroku. Por, edhe kjo seancë u shty, për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës. Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në një intervistë për TCH, bën apel për dialog dhe ofrohet për të ndërmjetësuar me Ministrinë e Financave. “Nuk mendoj se është bojkoti mënyra e komunikimit, përkundrazi bisedimet dhe dialogu janë mënyra e duhur e komunikimit. Tek unë, si ministër, Dhoma e Avokatisë do të gjejë një partner. Jam gati të ulem të çelim diskutimet dhe të hapim temën e dialogut”, deklaron Manjani. Ai paralajmëron avokatët që të mos mungojnë, pasi ata paguhen nga shteti. Megjithëse në këtë rast Manjani me shumë gjasë ndodhet mes dy zjarreve, për shkak se ai vetë është edhe avokat, profesion prej të cilit e ka të vështirë të ndahet. Pyetjes se, a kanë të drejtë avokatët në këtë bojkot, ai iu përgjigj: “Kur të mos jem ministër mund t’jua them”.
Procedimi disiplinor
Ditën e djeshme, Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë i ka kërkuar Komitetit të Disiplinës që të fillojë procedimin disiplinor ndaj avokatit K.K. me numër licence 8046, i cili ka vepruar në kundërshtim me vendimin e datës 19 shkurt 2016 të Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Mësohet se K.K. ka marrë pjesë si avokat mbrojtës në një çështje penale të zhvilluar në Gjykatën e Tiranës, Dhoma Penale, në datën 24 shkurt, ndërkohë që të gjithë avokatët kanë bojkotuar seancat gjyqësore për datat 24, 25 dhe 26 shkurt 2016.
Paralajmërimi
Do të protestojmë deri sa qeveria të reagojë
Disa ditë më parë, avokatët konstatuan se, megjithëse protestuan më 8 shkurt 2016, nga ana e organeve shtetërore një veprim i tillë demokratik u përcoll me indiferencë dhe pa ndonjë reagim. Këshilli Drejtues kishte paralajmëruar edhe më parë se kërkesat e drejta të komunitetit të avokatëve në lidhje me kundërshtimin e akteve ligjore, të cila cenojnë rëndë liritë dhe të drejtat kushtetuese e ligjore në ushtrimin e profesionit të avokatit, do të përshkallëzohen në raport me qëndrimin që organet kompetente do të mbajnë me kërkesat tona të drejta. “Duke qenë se ky vullnet i kërkuar nga ana jonë nuk ka gjetur mbështetje konkrete, këshilli drejtues, në mënyrë unanime të shpallë ditën e mërkurë, të enjte dhe të premte, datë 24, 25 dhe 26 shkurt 2016, ditë bojkoti në rang vendi, për të gjitha proceset gjyqësore dhe hetimore. Nuk do t’i nënshtrohen këtij bojkoti vetëm seancat gjyqësore në lidhje me masat e sigurimit personal. Avokatët që do të veprojnë në kundërshtim me këtë vendim bojkoti, konsiderohen në shkelje të rëndë të ligjit dhe për rrjedhojë do t’i nënshtrohen procedimit disiplinor”, thotë Dhoma Kombëtare e Avokatëve.