Lufta PS-LSI/ Në betejë përfshihen dhe të rinjtë e FRESSH dhe LRI
Lufta mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, tashmë sa vjen dhe po bëhet më e ashpër. Pjesë e debatit dhe e konfrontimit të ashpër politik dhe deklaratave të forta tashmë janë bërë dhe të rinjtë.
Kampingjet verore në Jalë, janë bërë këtë herë ‘sebepi’ i sherrit mes të rinjve socialistë dhe atyre të LRI-së.
Gjithçka nisi pas një deklarate të bërë nga zv.kryetari i LSI-së, Luan Rama, të cilit ju përgjigjën menjëherë të rinjtë e FRESSH, të cilët deklaruan se në aktivitetin e organizuar me IUSY, FRESSH dhe LRI do të jenë sebashku, ndërsa kanë kërkuar që të mënjanohen menjëherë deklaratat politike.
Por menjëherë pas deklaratës së FRESSH ka ardhur dhe reagimi i deputetes së LSI-së, Kejdi Mehmetaj.
Përmes një postimi në Facebook, Mehmetaj shkruan se e gjithë deklarata e bërë nga të rinjtë socialistë lidhur me aktivitetin në Jalë është mashtrim.
Sipas saj marrëveshja për aktivitetin në jalë është vetëm mes RI-së dhe IUSY-t- Internacionalja e të Rinjve Socialistë.
Ja deklarata e Mehmetajt:
Jam ndjerë thellësisht e zhgënjyer nga deklarata që FRESSH dhe PS kanë shpërndarë për mediat përpara pak orësh. Jam ndjerë e zhgënjyer, pasi kanë gënjyer në mënyrë të paturp duke përdorur pa autorizim emrat e Presidentit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të IUSY-t dhe kanë gënjyer mbi një marrëveshje që nuk ka egzistuar kurrë.
Por e vërteta është gjithmonë një dhe e pakundërshtueshme. Sidomos kur shoqërohet me fakte që nxjerrin në pah këtë gënjeshtër të orkestruar pa shije.
Disa muaj më parë LRI dhe IUSY-Internacionalja e të Rinjve Socialistë (në të cilën unë mbaj postin e Zv.Presidentes) kanë nënshkruar një marrëveshje së bashku, për të zhvilluar në kampin e LRI në Jalë Festivalin Botëror të IUSY-t. Nga ai moment dhe deri në përfundim të zgjedhjeve FRESSh nuk ka patur asnjë rol organizativ mbi zhvillimin e këtij festivali.
Ne (LRI) si të rinj dhe me dëshirën për të bashkëpunuar i ftuam të bëheshin pjesë e grupeve të punës për realizimin e kampit (dashamirësi nga ana jonë dhe pa patur asnjë lloj kontrate).
Në përfundim të proçesit zgjedhor, pasi manipuluan zgjedhjet dhe ushtruan presion mbi qytetarët shqiptarë, Rilindasit menduan se mund të bënin të njëjtën gjë edhe me të rinjtë e IUSY-t duke i vendosur ata disa herë në pozitë të vështirë.
Me mendësinë arrogante me të cilën edhe kanë qeverisur, arritën deri në pikën e kërcënimit me refuzim të vizave, nëse gjatë zhvillimit të kampit nuk do të vendosej logoja e FRESSh. Tentativë kjo tërësisht e pavlerë, pasi askush nuk mund të keqpërdorë procedurat standarte të Ministrisë së Jashtme.
Sërish, duke marrë parasysh se jemi të rinj dhe me njëri-tjetrin duhet të zhvillojmë ndjenja bashkëpunimi dhe jo armiqësie, IUSY së bashku me LRI vendosën ta përfshijnë FRESSH si organizatë mbështetëse të aktivitetit kundrejt përmbushjes së disa detyrimeve bazike (sërish theksoj pa asnjë kontratë). Dhe sot, tre ditë përpara zhvillimit të kampit, FRESSh shpërndan një deklaratë tejet të pakuptimtë për mua, duke nxitur dhe reagimin ti them të gjitha këto.
Megjithatë, meqënëse tashmë kjo situatë u bë e njohur për publikun,po i rikujtoj FRESSh se nuk kanë pagur ende detyrimin financiar të Kongresit të IUSY-t që organizuam bashkarisht në shkurt të 2016. Gjithashtu, dua ti kujtoj se haku i punës merret pasi e ke kryer dhe se nuk mund të kërkosh merita nëse nuk je i zoti të punosh.
Në fund, dua ti sjell në vëmendje FRESSh-it se të bëhesh një kopje e shëmtuar e politikës së mashtrimit nuk është vlerë, përkundrazi të bën të padëshirueshëm. Të përdoresh në mënyrë të ulët nga partia për të hedhur shashka zhurme në media nuk të bën të rëndësishëm, përkundrazi të deformon karakterin.
Më vjen keq që edhe njëherë të vetme që FRESSh prodhoi lajm, ky qe i pavërtetë. Shpresoj dhe uroj që delegacioni i tyre në kampin e IUSY-t të vijë në Jalë me mendje dhe zemër pozitive. Shpresoj dhe uroj gjithashtu, që të cojnë deri në fund detyrimet e tyre. Sic e kemi tashmë traditë, të cilën sado të përpiqen nuk na i mohojnë dot, ne do i mirëpresim ata dhe qindra të rinj të tjerë nga e gjithë bota në një kamp që do të jetë i paharrueshëm nga momentet fantastike që do të krijohen.
Më poshtë linku ku verifikohet sa është thënë më sipër:
https://iusy.org/ëorldfestival/en_GB/
Ja deklarata e FRESSH:
FRESSH dhe organizatorët e Internacionales Socialiste të të Rinjve shprehin keqardhje për mënyrën se si strukturat e LSI-së po keqinformojnë dhe manipulojnë opinionin publik, në lidhje me kampin që organizon Internacionalja Socialiste e të Rinjve (IUSY) në Jalë. Në bazë të marrëveshjes së përbashkët që FRESSH dhe LRI kanë nënshkruar me Internacionalen e të Rinjve Socialistë (IUSY), festivali dhe aktivitetet e tij organizohen dhe mbështeten në mënyrë të barabartë nga dy forumet, të cilat nga datat 14-21 korrik do të mirëpresin 400 të rinj nga e gjithë bota. Këtë fakt e konfirmojnë me prezencën e tyre këtu presidenti i Internacionales Socialiste të të Rinjve (IUSY), z.Hoëard Lee si dhe Sekretari i Pergjithshëm z. Alessandro Pirisi. Gjejmë rastin të falenderojmë të rinjtë e LRI-së për përkushtimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm në mbarëvajtjen e këtij festivali me rëndësi për Shqipërinë dhe të rinjtë shqiptarë. Të rinjtë e FRESSH dhe LRI-së janë bashkë në këtë aktivitet për të treguar vlerat më të mira të shqiptarëve, ndaj edhe një herë i lutemi kryesisë së LSI-së të distancohet nga këto mënyra të politikëbërjes dhe t’i lejojë të rinjtë të jenë pjesë dhe model i një të ardhmeje më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
LEXO TE NGJASHME