Një nga premtimet e PS: Paga minimale, 30 mijë lekë
Partia Socialiste ka publikuar manifestin politik, që shtron piketat e programit qeverisës për katër vitet e ardhshme. Në pjesën e parë, dokumenti prej 33 faqesh përmbledh arritjet e qeverisë gjatë katër viteve të shkuara, ndërsa në gjysmën e dytë ai liston zotimet kryesore dhe vizionin socialist se si do të jetë shqipëria e vitit 2021.
Socialistët zotohen që në katër vitet e ardhshme rritja ekonomike të jetë mesatarisht 4.5 për qind në vit, duke arritur 5.5 për qind vitin e fundit të mandatit. Së bashku me një politikë të kujdeshme fiskale, kjo do të bëjë të mundur që borxhi publik të ulen në 60 për qind e prodhimit kombëtar nga 71 për qind që është aktualisht.
Sipas socialistëve, përshpejtimi i qëndrueshem i rritjes ekonomike do të mundësojë që në katër vitet e ardhshme të krijohen 220 mijë vende të reja pune duke bërë që papunësia në vitin 2021 të bjerë në 8.2 për qind.
Rritja e punësimit dhe zhvillimi ekonomik sipas dokumentit do të cojë në përmbushjen e zotimit të katërt, rritjes me 25 për qind të të ardhurave të disponueshme për cdo qytetar.
Rrogat në shtet do të rriten me 40 për qind ndërsa pensionistët do të shpërblehen cdo fundviti nga 7 deri në 10 mijë lekë. Nga ana tjetër, partia socialiste premton se do të ulë taksën maksimale mbi rrogat nga 23 për qind në 18 për qind.
Shteti do të ndihmojë familjet e reja për blerjen e shtëpisë së parë, në kuadër të një paketë të plotë që sipas socialistëve promovon rritjen e popullsisë. Për sektorin bujqësor, socialistët premtojnë se në katër vitet e ardhshme do të financojnë 230 milionë euro më shumë. Investimet do të rriten edhe në arsim, ndërkohë që brenda vitit 2021 do të realizohet objektivi i shëndetësisë falas.
LEXO TE NGJASHME