Lufta në Ukrainë/ Erdogan merr përsipër të zgjidhë krizën e grurit, do të flas me Putin dhe Zelenskyn
Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e 110-të, teksa përplasja midis forcave ruse dhe atyre vendas vijon të mbetet e nxehtë në zonat pranë Severdonetsk, ku është shkatërruar ura që lidh këtë qytet me Lysychansk.
Në deklaratat më të fundit Kievi thekson se “askush nuk e di se sa do të zgjasë lufta”, ndërsa Donbasi sipas tyre po reziston.
Gjithashtu, Ukraina ka nisur një kundërofensivë në rajonin Kherson. Sa i përket frontit diplomatik, Erdogan ka njoftuar se javën tjetër do të ketë një komunikim me dy presidentët, Putin dhe Zelensky.
Erdogan theksoi se ai synon të trajtojë çështjen e “korridorit të grurit” dhe eksportet e sigurta nga Ukraina.
“Ka një luftë të vazhdueshme midis Ukrainës dhe Rusisë dhe ne e dimë se produktet bujqësore vijnë në një masë të madhe nga këto vende. Në këtë fazë nuk kemi asnjë problem me këtë, kemi 5 milionë tonë drithë në magazinat tona, por duam t’i rrisim këto vëllime. Do të marrim pjesë në punën për krijimin e një korridori të sigurt për dërgesat e produkte bujqësore, jo vetëm për ne, por edhe për vendet e treta”, u shpreh ai.
Sipas liderit turk, “negociatat janë duke u zhvilluar” dhe “në javën e ardhshme do të diskutojmë se çfarë hapash mund të ndërmerren, me Zelensky dhe Putin”.
Ndërkohë, presidenti Zelensky ka kërkuar që Kievit t’i sigurohen sisteme moderne të mbrojtjes raketore për të cilat ka aktualisht nevojë.
“Ukraina ka nevojë për sisteme moderne të mbrojtjes raketore. Që nga 24 shkurti, 2606 raketa ruse kanë goditur Ukrainën. Këto janë jetë që mund të shpëtohen, këto janë tragjedi që mund të shmangeshin nëse Ukraina do të dëgjohej”, tha ai në një fjalim.
LEXO TE NGJASHME