Disa vatra zjarri janë shfaqur njëkohësisht në kodrat pranë fshatit Dukat, duke alarmuar banorët e zonës. Flakët janë pikasur nga banorët, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë dhe shërbimet zjarrfikëse.

Situata vijon të jetë shqetësuese, pasi zjarri po përhapet në një zonë të mbuluar me shkurre, duke favorizuar përparimin e flakëve. Disa banorë janë drejtuar vetë drejt zonës së prekur për të monitoruar situatën dhe për të ndihmuar në rast nevoje.

Edhe forcat zjarrfikëse janë nisur drejt vatrave të zjarrit, por ndërhyrja me automjete është e vështirë për shkak të terrenit të thyer dhe të vështirë për t’u aksesuar.

Fshati Dukat ndodhet pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë, çka e bën situatën veçanërisht të rëndësishme për mbrojtjen e zonave natyrore. Shërbimet zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri për përballimin e situatës.