Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka kërkuar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që KFOR-i të ndalojë procesin e zvogëlimit gradual të pranisë së tij në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicën e Veriut.
Vuçiç bëri të ditur se i ka dërguar një letër kreut të NATO-s, ku kërkon që misioni i aleancës në Kosovë të vazhdojë praninë në këtë pikë të rëndësishme të sigurisë. Sipas tij, kërkesa lidhet edhe me zbatimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Presidenti serb deklaroi se pret që Rutte të vlerësojë rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon. Ndërkohë, Radio Evropa e Lirë i është drejtuar NATO-s për një reagim lidhur me këtë kërkesë.
Mitrovica është e ndarë që prej përfundimit të luftës së vitit 1999 në pjesën veriore, ku shumica e popullsisë është serbe, dhe pjesën jugore, ku shumicën e përbëjnë shqiptarët. Dy zonat funksionojnë si komuna të veçanta.
Ura kryesore mbi Ibër ka qenë prej vitesh një nga pikat më të ndjeshme në veri të Kosovës dhe KFOR-i ka mbajtur praninë e tij për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar tensionet ndëretnike.
Sipas Vuçiçit, largimi i KFOR-it nga ura në këtë periudhë mund të krijojë kushte për një përshkallëzim të situatës dhe për përballje me komunitetin serb në veri të Kosovës.
Ai deklaroi gjithashtu se Beogradi do të vijojë përpjekjet politike dhe nuk përjashtoi mundësinë e kërkimit të një seance të posaçme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në të njëjtën kohë, Vuçiç tha se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, ka zhvilluar një bisedë të vështirë me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.
Ulutash ishte takuar më 12 gusht edhe me përfaqësues të Listës Serbe, e cila kundërshton reduktimin e pranisë së KFOR-it në urën mbi Ibër.
Nga ana tjetër, komandanti i KFOR-it ka deklaruar se procesi i optimizimit të pranisë së misionit është nisur për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe se ndryshimet do të realizohen në mënyrë graduale.
NATO ka theksuar se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë.
Misioni ka deklaruar gjithashtu se do të vijojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, sipas përgjegjësive përkatëse në fushën e sigurisë.
Aktualisht, ura kryesore mbi Ibër lejohet të përdoret vetëm nga këmbësorët. Në korrik 2024, Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar hapjen e saj edhe për automjetet, një nismë që shkaktoi reagime dhe tensione me komunitetin ndërkombëtar.
Pranë urës kryesore janë ndërtuar ndërkohë edhe dy ura të tjera, një për këmbësorë dhe një për automjete, me qëllim lidhjen e Mitrovicës së Veriut me atë të Jugut.