Virusi i Nilit Perëndimor po njeh një përhapje të frikshme në disa vende të kontinentit europian, duke shkaktuar dhjetëra raste të konfirmuara klinikisht dhe disa viktima. Të dhënat më të fundit zyrtare nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) tregojnë se deri në fund të korrikut, prani e virusit është regjistruar në shtatë vende: Itali, Greqi, Rumani, Francë, Maqedoni e Veriut, Spanjë dhe Gjermani, ku në total janë evidentuar rreth 49 zona të prekura.
Italia mban vendin e parë për numrin e të infektuarve me 94 raste të konfirmuara, ndërsa Greqia fqinje renditet menjëherë pas saj me 65 raste dhe 6 viktima. Vendi ynë fqinj po përballet me një përkeqësim të ndjeshëm të situatës gjatë javëve të fundit, ku vetëm brenda një jave janë shtuar 23 raste të reja. Sipas autoriteteve shëndetësore greke, 54 nga pacientët e prekur kanë shfaqur komplikacione të rënda neurologjike, si encefalit, meningjit ose paralizë akute, ndërsa të ndjerët ishin mbi moshën 65 vjeç dhe vuanin nga probleme të sistemit nervor qendror. Aktualisht, dhjetëra pacientë po trajtohen në spitale, disa prej tyre në kujdesin intensiv.
Sipas ECDC, vende të tjera si Maqedonia e Veriut dhe Spanja kanë raportuar nga 7 raste, Rumania pesë, Franca dy dhe Gjermania një rast. Ekspertët theksojnë se shifrat reale mund të jenë edhe më të larta, pasi një pjesë e madhe e personave e kalojnë virusin me simptoma të lehta ose pa shfaqur fare shenja. Virusi i Nilit Perëndimor, i zbuluar për herë të parë në vitin 1937 në Ugandë, transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara që e marrin atë nga zogjtë. Ndërsa shumica e të infektuarve nuk kanë simptoma, personat e moshuar dhe ata me imunitet të dobësuar janë më të rrezikuarit nga format e rënda të sëmundjes.