Më shumë se 175 mijë viza të shtetasve të huaj janë anuluar nga Shtetet e Bashkuara që prej rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Të dhënat janë bërë të ditura nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili shpjegon se masat lidhen me shkelje të rregullave të vizave, probleme me drejtësinë, raste mashtrimi dhe situata që vlerësohen si kërcënim për sigurinë kombëtare.

Autoritetet amerikane bëjnë me dije se në mesin e personave të cilëve u janë hequr vizat ka edhe individë të përfshirë në procedime penale. Akuzat ndaj tyre përfshijnë drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit, sulmet fizike, vjedhjet, veprat penale të lidhura me drogën dhe rastet e dhunës në familje.

Lista e rasteve të evidentuara përfshin gjithashtu persona të dyshuar ose të akuzuar për abuzim me fëmijët, përdhunim, trafikim dhe shfrytëzim seksual të të miturve.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka ndërmarrë masa edhe ndaj disa shtetasve për shkak të aktivitetit të tyre politik apo marrëdhënieve me qeveri të huaja.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka urdhëruar dëbimin e disa shtetasve të huaj për arsye të lidhura me politikën e jashtme të SHBA-së.

Mes rasteve të përmendura është një shtetas kuban që dyshohet se ka qenë i lidhur me një fushatë ndikimi të Havanës, disa shtetas iranianë me lidhje me qeverinë e Teheranit, si dhe një shtetas kuvajtian i akuzuar për qëndrime armiqësore ndaj presidentit amerikan.

Në një tjetër rast, në një ambasadë amerikane në Afrikën e Veriut janë anuluar mbi 100 viza për prindër, të cilët sipas autoriteteve amerikane udhëtonin drejt SHBA-së kryesisht për të lindur fëmijët atje, me synimin që ata të përfitonin shtetësinë amerikane.

Të dhënat e Departamentit Amerikan të Shtetit tregojnë se anulimet e vizave janë rritur ndjeshëm pas rikthimit të Trump në detyrë. Numri i vizave të anuluara gjatë kësaj periudhe është rreth katër herë më i madh se në vitin e fundit të administratës së Joe Biden.