Shakhtar Donetsk do t’i zhvillojë ndeshjet si skuadër pritëse në Ligën e Kampioneve 2026/27 në stadiumin “Stamford Bridge”, pas marrëveshjes së arritur me Chelsea.
Klubi ukrainas ka konfirmuar zyrtarisht impiantin londinez si stadiumin ku do të presë kundërshtarët në kompeticionin europian. Për shkak të luftës në Ukrainë, Shakhtari ka qenë i detyruar t’i zhvillojë ndeshjet në fusha të ndryshme europiane gjatë viteve të fundit, përfshirë Poloninë, Gjermaninë dhe Slloveninë.
Për sezonin e ri, skuadra ukrainase do të zhvendoset në Angli dhe do ta përdorë “Stamford Bridge” si shtëpi për përballjet e saj në Champions League.
Stadiumi londinez ka një lidhje të veçantë edhe me Ukrainën, pas shitjes së Chelsea nga Roman Abramovich dhe vendimit që të ardhurat e përfituara të shkonin për viktimat e luftës.
Chelsea nuk u kualifikua në kompeticionet europiane pas sezonit 2025/26 dhe për këtë arsye ka rënë dakord t’ia vërë stadiumin në dispozicion Shakhtarit për të gjithë sezonin 2026/27.
Kështu, Shakhtar Donetsk do të presë kundërshtarët e tij në Champions League në një prej stadiumeve më të njohura të futbollit anglez.