Në nisje të sezonit të ri televiziv, “Portokalli” pritet të sjellë disa ndryshime të rëndësishme në drejtimin dhe përbërjen e spektaklit të humorit.
Sipas raportimeve që qarkullojnë në media, Agron Llakaj pritet të rikthehet në “Portokalli” pas më shumë se një dekade. Aktori dhe moderatori i njohur do të ketë një rol të dyfishtë, duke marrë përsipër drejtimin dhe regjinë e spektaklit.
Rikthimi i Llakajt në Top Channel pritet të shoqërohet edhe me disa prej emrave të njohur të humorit, duke sjellë një tjetër atmosferë në sezonin e ri.
Ndërkohë, Salsano Rrapi nuk do të jetë më pjesë e “Portokalli”, por largimi nga spektakli nuk nënkupton përfundimin e bashkëpunimit të tij me Top Channel. Atij, së bashku me regjisorin Ilir Muhametaj, u është besuar një tjetër projekt televiziv.
Ndryshimet pritet të jenë pjesë e risive që Top Channel ka planifikuar për sezonin e ri, ndërsa rikthimi i Agron Llakajt në drejtimin e “Portokallisë” pritet të jetë një nga zhvillimet më të komentuara.