Është vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës Pjerin Bitani, i dyshuar për plagosjen me armë zjarri të Vladimir Bruçit, ngjarje e regjistruar pasditen e 20 gushtit, rreth orës 14:30, në Shkodër.

Sipas të dhënave paraprake, vetëdorëzimi i Bitanit është bërë pas negociatave me efektivët e policisë, të cilët kanë arritur ta bindin të dyshuarin të dorëzohet.

Nga hetimet paraprake dyshohet se ngjarja ka nisur pas një konflikti verbal mes dy personave, të cilët prej vitesh kishin marrëdhënie shoqërore. Shkak i debatit dyshohet të jenë bërë kamerat e sigurisë të vendosura në lokalin në pronësi të Bitanit.

Vladimir Bruçi i kishte kërkuar Bitanit heqjen e kamerave, duke pretenduar se banonte pranë zonës dhe kalonte çdo ditë aty. Refuzimi i kërkesës dyshohet se ka përshkallëzuar debatin, i cili më pas ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit.

Si pasojë e të shtënave, Bruçi mbeti i plagosur dhe u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Pas vetëdorëzimit të të dyshuarit, grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë së Shkodrës vijojnë veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e të gjitha rrethanave që çuan në konflikt.