Rafael Leao është shumë pranë një transferimi te Galatasaray, pasi klubi turk raportohet se ka arritur një marrëveshje në parim me Milanin dhe përfaqësuesit e sulmuesit portugez.
Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, Galatasaray ka gjetur gjuhën e përbashkët për transferimin e Leaos nga Milani, ndërsa palët po punojnë për finalizimin e detajeve të fundit.
Sulmuesi 27-vjeçar raportohet se ka pranuar ofertën e kampionëve të Turqisë, pasi klubi nga Stambolli përmirësoi kushtet financiare dhe propozimin e kontratës gjatë ditës së premte.
Për shërbimet e Leaos kishte shfaqur interes konkret edhe Aston Villa, e cila kishte bërë përpjekje për të bindur portugezin. Megjithatë, oferta e përmirësuar e Galatasarayt duket se ka ndikuar në vendimin e lojtarit për të vazhduar karrierën në Turqi.
Nga transferimi, Milani pritet të përfitojë një shumë që kalon 45 milionë euro, ku në paketën financiare përfshihen edhe bonuse dhe një përqindje e mundshme nga një shitje e ardhshme e futbollistit.
Nëse procedurat e fundit përfundojnë pa probleme, Rafael Leao do të bëhet një prej afrimeve më të bujshme të Galatasarayt gjatë merkatos së verës, duke i shtuar skuadrës turke një tjetër emër të rëndësishëm në repartin ofensiv.