Lajmet tona janë zakonisht kronikë e zezë ose skandale. Mendoj se kjo ka efekte negative në popull, sepse kur dëgjon diçka shumë herë, me kalimin e viteve kjo bëhet problem. Truri fillon të gjejë zgjidhje në bazë të burimit që ka marrë këto 20 vitet e fundit. Kjo quhet normalizim.
Është e thjeshtë. Mjafton të ulesh në kafe dhe do të shikosh njerëz që diskutojnë këto skandale, sikur jeta e njerëzve të tjerë të ishte gjë normale për t'u diskutuar në kafe.
Te shumica e njerëzve ndikon shumë kapaciteti i të menduarit, pra mënyra si e përfshijnë atë lajm në jetën e tyre. Disa reagojnë me mbingarkesë emocionale, të tjerë me mpirje. Disa ndiejnë frikë të shtuar dhe mendojnë se e gjithë bota është e rrezikshme. Disa e kuptojnë lajmin fjalë për fjalë dhe nuk e vënë dot në kontekst. Ky kapacitet nuk varet vetëm nga zgjuarsia. Ulet kur jemi të stresuar, të lodhur ose në një moment të vështirë, pra mund t'i ndodhë secilit prej nesh.
Zoom in, zoom out
Për ta kuptuar këtë, duhet të bëjmë zoom in dhe zoom out. Zoom in është fëmija i vogël që rrëzohet dhe shikon prindërit, sepse nuk di si të reagojë. Nëse prindërit afrohen me panik, "oh, pse qan", ai qan. Nëse ata reagojnë me qetësi, fëmija e kupton vetë që ishte diçka e vogël, ngrihet dhe vazhdon. Nëse ne si prindër nuk dimë ta shfrytëzojmë atë moment, do ta mësojmë fëmijën gabim.
Zoom out është populli. Edhe populli sillet si ai fëmijë: shikon "prindërit" e vet për të kuptuar si të reagojë. Këta prindër janë mediat, gazetarët, analistët, institucionet dhe njerëzit publikë. Nëse populli nuk ushqehet në një sistem si duhet, nuk do ta kuptojë që jeta personale e dikujt nuk është publike dhe nuk duhet të diskutohet nga të tjerët. Mediat nuk duhet t'i thonë popullit çfarë të mendojë. Mjafton të reagojnë me qetësi dhe me kontekst, dhe populli e kupton vetë.
Këtë e pamë së fundmi. Kur u shpërnda një video intime e një personi publik, u fol për të 3–4 ditë. Pas kaq kohe, njerëzve u dukej aq normale sa e bënin temë diskutimi me kafe.
Kur lajmi bëhet model
Kjo nuk është vetëm ndjesi. Në vitin 1774, pas romanit të Goethe-s ku heroi i jep fund jetës, Europa pa një valë rastesh imituese, dhe disa vende e ndaluan librin. Shkencëtarët e quajnë efekti Werther. Sociologu David Phillips gjeti në të dhënat e SHBA-së se pas çdo lajmi të tillë në faqe të parë rastet rriteshin, sidomos te njerëzit që i ngjanin personit të lajmit. Kur mediat e Vjenës ranë dakord të ndalonin raportimin sensacional, rastet ranë.
Edhe te ne ndodh e njëjta gjë. Instituti Shqiptar i Medias ka gjetur në mediat tona përshkrim të detajuar të metodës, identifikim të viktimës, intervista me të afërmit në dhimbje dhe tituj sensacionalë, ndërsa redaksitë nuk kanë një kod të qartë për këto raste.
Modeli pH
Mendoj se duhet të ketë një model si pH-ja: çdo lajm negativ duhet të shoqërohet me diçka pozitive për popullin. Një artikull informues që shpjegon pse nuk duhet të përfundojmë te dhuna, duke treguar shenjat që paralajmërojnë se një person po shkon drejt hapit të fundit. Nëse personi i kupton këto shenja dhe kupton nervat e veta, ka shans më të lartë ta parandalojë.
Sot ndodh e kundërta. Po e mbingarkojmë popullin me kronikë të zezë, dhe analistët nuk e shpjegojnë në mënyrë që populli të mos i bëjë këto veprime. Thjesht e zgjasin historinë, dhe gjithnjë e më shumë njerëz e mësojnë këtë gabim. Shkenca e quan anën tjetër efekti Papageno: historitë e njerëzve që e kaluan krizën dhe gjetën ndihmë e ulin rrezikun.
Nëse një popull nuk ushqehet me informacione të sakta, faj nuk kanë vetëm ata që bëjnë krimin. Faj kanë edhe ata që nuk ndihmojnë ta ndalojnë. Nëse nuk ndihmojmë njëri-tjetrin, jemi si bletët meshkuj të kolonisë: hamë, pimë dhe nuk japim asgjë pozitive. Një shoqëri që do të ecë përpara nuk mund të jetojë kështu.
Shumë lexues do ta kundërshtojnë këtë artikull, dhe kjo është mirë. Nëse të gjithë do të kishim të njëjtin mendim, do të thoshte që nuk e kemi përdorur kokën siç duhet. Truri ruan gjurmë nga gjithçka që i japim çdo ditë. Nuk ka rëndësi ta mbani mend këtë artikull fjalë për fjalë. Rëndësi ka që ai të jetojë në mendjen tuaj dhe t'ju ndihmojë të mendoni ndryshe.
Nëse ti ose dikush që njeh po kalon një moment të vështirë, mos e mbaj vetëm. Në rast urgjence telefono 127 ose shko në urgjencën e spitalit më të afërt. Për fëmijë dhe të rinj: ALO 116 111, falas dhe 24 orë. Për gra dhe vajza: 116 117.
