Një nga monumentet më emblematike të trashëgimisë kulturore dhe historike në Shqipëri, Kalaja e Rozafës, po përgatitet të nisë një fazë të re ndërhyrjesh thelbësore, me synim kryesor përmirësimin e infrastrukturës për vizitorët dhe ruajtjen e vlerave arkitektonike. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka njoftuar se ky projekt i rëndësishëm mbështetet financiarisht nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), përmes një investimi të koordinuar nga Fondi Shqiptar të Zhvillimit dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e trashëgimisë kulturore dhe Bashkinë e Shkodrës.

Në kuadër të këtij plani zhvillimi, projekti parashikon ndërhyrje konkrete për lehtësimin e aksesit publik dhe turistik, ku spikat organizimi më i mirë i menaxhimit të transportit dhe krijimi i një stacioni të ri autobusi të dedikuar për pritjen e vizitorëve. Po kështu, puna do të shtrihet në të gjithë kompleksin monumental, duke u fokusuar te restaurimi, ruajtja dhe valorizimi i elementeve historike që mbart Kalaja e Rozafës ndër shekuj.

Rëndësia e këtij investimi vjen në një kohë kur kalaja vijon të konfirmohet si një nga atraksionet kryesore të turizmit kulturor në vend. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, vetëm gjatë muajit korrik të vitit 2026, monumenti u vizitua nga 23.678 turistë vendas dhe të huaj. E pozicionuar mbi kodrën që dominon qytetin, luginat dhe liqenin e Shkodrës, Kalaja e Rozafës mbetet simbol i qëndresës dhe një destinacion i pazëvendësueshëm për vizitorët.