Tensionet mes Izraelit dhe Turqisë po thellohen për shkak të zhvillimeve ushtarake në Siri. Tel Avivi i ka kërkuar Ankarasë të mos zgjerojë praninë e saj ushtarake në territorin sirian, pak ditë pasi ushtria izraelite goditi bazën ajrore Abu al-Duhur në veriperëndim të vendit.

Sulmi, i kryer të martën, shkaktoi dëme në bazën ajrore, ndërsa nuk u raportuan viktima. Sipas autoriteteve izraelite, objekti po përgatitej për t’u përdorur nga forcat turke.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, akuzoi presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan se po e përfshin Turqinë në “aventura të rrezikshme” në Siri dhe paralajmëroi Ankaranë të mos e vërë në provë vendosmërinë e Izraelit për mbrojtjen e sigurisë së tij.

Edhe zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu e lidhi përplasjen me praninë turke në Siri. Sipas saj, Damasku ndodhet përballë ndryshimit të një “status quo-je” të sigurisë për shkak të mundësisë së vendosjes së trupave turke në territorin sirian. Turqia dhe Siria i kanë mohuar këto pretendime.

Marrëdhëniet mes Izraelit dhe Turqisë janë përkeqësuar ndërsa Siria është shndërruar në një pikë të re përplasjeje mes dy vendeve.

Turqia është ndër mbështetëset kryesore të presidentit sirian Ahmed al-Sharaa dhe po ndihmon në trajnimin dhe rindërtimin e forcave të armatosura siriane. Kjo ka rritur shqetësimin e Izraelit, i cili kundërshton krijimin e një pranie të përhershme ushtarake turke në Siri.

Tel Avivi vlerëson se një prani e tillë mund të ndikojë në sigurinë e Izraelit dhe të kufizojë veprimet e ushtrisë së tij në territorin sirian. Përplasja për ndikimin dhe praninë ushtarake në Siri po e kthen kështu vendin në një tjetër vatër tensioni mes Izraelit dhe Turqisë.