Interi ofron Kristjan Asllanin për Moussa Diabyn – Mesfushori shqiptar pranë largimit nga “San Siro” pas interesimit nga klubi saudit
admin@albest.al
Postuar më 3 gusht 2026
Interi po shqyrton seriozisht mundësinë e përfshirjes së mesfushorit shqiptar Kristjan Asllani në një operacion të bujshëm merkatoje për të siguruar shërbimet e sulmuesit francez Moussa Diaby nga klubi i Al-Ittihad. Sipas raportimeve të mediave italiane, drejtuesit e klubit zikaltër i kanë propozuar skuadrës saudite një ofertë monetare prej 18 milionë eurosh, në të cilën do të përfshihej gjithashtu kartoni i mesfushorit të Kombëtares së Shqipërisë, si pjesë e shkëmbimit për të ulur koston e transferimit.
Diaby, i cili raportohet se është shprehur i gatshëm për t'u bashkuar me klubin nga Milano, konsiderohet si një përforcim i lartë për repartin ofensiv të skuadrës italiane. Nga ana tjetër, Asllani, 24 vjeç, ka një kontratë aktive me Interin deri në vitin 2028, por e ardhmja e tij në “San Siro” duket gjithnjë e më e pasigurt. Mesfushori nuk është përfshirë në planet e fazës përgatitore dhe në kampin veror të skuadrës, duke shtuar kështu spekulimet për një largim të pashmangshëm gjatë kësaj sesioni merkatoje.
Vlen të theksohet se gjatë sezonit të kaluar, Asllani ishte i huazuar te skuadra turke e Besiktasit, por klubi nga Stambolli vendosi të mos e aktivizojë opsionin për blerjen përfundimtare të kartonit të tij, duke bërë që ai të rikthehet përkohësisht në Milano. Për mesfushorin kuqezi, i cili numëron 42 paraqitje dhe pesë gola me fanellën e Shqipërisë, ka pasur interesim të vazhdueshëm edhe nga skuendra të tjera të Serisë A, si Atalanta, Sassuolo dhe Cagliari. Nëse negociatat me Al-Ittihadin konkretizohen me sukses, Asllani pritet të nisë një kapitull të ri në karrierë, duke kërkuar një ambient të ri ku mund të fitojë minuta të rregullta dhe një rol lideri.