Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të lërë në masën e sigurisë “arrest me burg” biznesmenin Ergys Agasi, i arrestuar dy ditë më parë në kuadër të një operacioni të koordinuar nga SPAK dhe Forcat e Posaçme Operacionale.
Seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë nisi në orën 09:30, por u shty përkohësisht pasi mbrojtja kërkoi kohë për t’u njohur me materialet e dosjes. Procesi vijoi në orën 12:00 dhe pas disa orësh GJKKO shpalli vendimin për masën e sigurisë.
Pas përfundimit të seancës, avokati i Agasit, Maks Haxhia, foli para mediave dhe shpjegoi qëndrimin e mbrojtjes gjatë procesit. Ai konfirmoi se mbrojtja kishte kërkuar kohë shtesë për shqyrtimin e dokumenteve dhe materialeve të administruara në dosje.
Ergys Agasi u arrestua pas ndjekjes së automjetit me të cilin po udhëtonte. Mjeti drejtohej nga ish-zyrtari i Policisë, Ulian Shpataraku, dhe u pikas fillimisht në Elbasan. Forcat e policisë e ndoqën automjetin deri në zonën e Plepa-ve, ku ai u rrethua në një segment të rrugës me trafik.
Gjatë kontrollit të automjetit, Agasi dhe Shpataraku u gjetën me rreth 4 mijë euro cash. Arrestimi i biznesmenit lidhet me hetimet e SPAK për dosjen e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.
Sipas dyshimeve të hetuesve, Agasi, në bashkëpunim me biznesmenin Ermal Beqiri, i cili është arrestuar më herët në Francë, dyshohet se ka pasur rol në një grup të strukturuar kriminal të lidhur me procedurat e prokurimit publik.
Hetimet fokusohen te tendera me vlerë miliona euro, për të cilët dyshohet se procedurat ishin orientuar në favor të kompanive të lidhura me persona nën hetim. Autoritetet po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe rolit të secilit person të përfshirë në dosje.