Euro ka zbritur në 92.96 lekë, sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, duke regjistruar nivelin më të ulët historik kundrejt monedhës vendase. Për herë të parë, monedha europiane ka kaluar poshtë kufirit të 93 lekëve.
Gjatë ditëve të fundit, euro ishte afruar gradualisht me këtë nivel, duke vijuar rënien e fortë që është vërejtur përgjatë muajve të verës.
Në nisje të vitit 2026, një euro këmbehej me 96.89 lekë. Kjo do të thotë se në vetëm disa muaj monedha europiane ka humbur rreth 4 lekë në raport me lekun.
Ndryshe nga periudhat e mëparshme, kur kursi i euros pësonte luhatje mes rënies dhe rikuperimit në varësi të flukseve të emigrantëve dhe turistëve, gjatë këtij viti tendenca ka qenë kryesisht në kahun e dobësimit.
Për të zbutur forcimin e lekut, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në tregun vendas duke blerë gjatë këtij viti rreth 129 milionë euro.
Megjithatë, ndërhyrjet e bankës qendrore nuk kanë arritur të ndalojnë rënien e mëtejshme të monedhës europiane.
Dobësimi i euros po sjell efekte të ndryshme në ekonomi. Qytetarët që marrin të ardhura në euro përballen me një vlerë më të ulët në lekë për të njëjtën shumë, ndërsa ndikimi ndihet edhe te familjet që varen nga remitancat e dërguara nga emigrantët.
Nga ana tjetër, një euro më e dobët u krijon avantazh bizneseve që importojnë mallra dhe kompanive që kanë pagesa ose detyrime në monedhën europiane, pasi për të shlyer të njëjtat shuma u nevojiten më pak lekë.