Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në zonën e Kombinatit në Tiranë, ku policia ka arrestuar në majë të çatisë së një banese një 31-vjeçar nga India, i dyshuar se kishte tentuar të hynte në shtëpi për të vjedhur.

Sipas të dhënave të bëra publike, Manpreet Nanak Chand Manpreet kishte ngjitur çatinë e banesës së një shtetasi me inicialet E.P. gjatë orëve të natës, me qëllim që të hynte përmes një dritareje të vogël dhe të merrte sende me vlerë.

Prania e tij u vu re fillimisht nga pronari i banesës, i cili rreth orës 23:48 dëgjoi zhurma që vinin nga jashtë. Kur doli për të kontrolluar situatën, ai pa një person mbi çati dhe njoftoi menjëherë policinë.

Efektivët e Komisariatit Nr. 6 mbërritën në vendngjarje dhe, pas ndërhyrjes, bënë të mundur zbritjen e 31-vjeçarit nga çatia dhe arrestimin e tij rreth orës 01:10 të 23 gushtit.

Më herët, i riu ishte shoqëruar në komisariat pas një konflikti me një qytetar, të cilit dyshohet se i kishte dëmtuar xhamin e automjetit. Për atë ngjarje ai ishte lënë i lirë dhe po hetohej në gjendje të lirë.

Një ditë pas arrestimit për tentativën e vjedhjes, 31-vjeçari është paraqitur në Gjykatën e Tiranës. Me kërkesë të prokurorisë, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa ndaj tij është ngritur akuza për “vjedhje të mbetur në tentativë”.

Vendimi është argumentuar edhe me rrezikun e largimit të shtetasit të huaj nga Shqipëria. Gjatë seancës, i arrestuari nuk ka pranuar të japë deklarime, duke bërë të ditur se do të flasë në një moment tjetër.

Sipas dëshmisë së pronarit të banesës, personi i dyshuar nuk kishte arritur të depërtonte brenda shtëpisë, pasi ishte pikasur para se të realizonte qëllimin e tij. Policia vijon procedurat për dokumentimin e plotë të ngjarjes.