Operacioni për shuarjen dhe vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit në Dukat të Vlorës ka vijuar pa ndërprerje, me angazhimin e Forcave të Armatosura dhe mjeteve ajrore zjarrfikëse.
Në terren janë angazhuar 70 efektivë të Forcës Tokësore, 29 efektivë të Komandës Mbështetëse dhe 2 efektivë të Policisë Ushtarake. Në operacion janë përfshirë gjithashtu 2 avionë zjarrfikës, të cilët kanë ndihmuar në përballimin e situatës.
Falë ndërhyrjes së forcave në terren dhe mbështetjes nga ajri, pjesa më e madhe e vatrave të zjarrit është shuar dhe situata është vënë nën kontroll.
Forcat e angazhuara vijojnë monitorimin e zonës për të parandaluar riaktivizimin e vatrave të mbetura, ndërsa trupat mbeten në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme.