Kombëtarja shqiptare U-16 e ka nisur me fitore serinë e dy ndeshjeve miqësore ndaj Malit të Zi. Kuqezinjtë triumfuan 1-0 në stadiumin “Loro Boriçi”, në një përballje që u vendos vetëm 10 minuta para përfundimit.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, me Shqipërinë që krijoi disa mundësi për të zhbllokuar rezultatin, por pa arritur të konkretizojë. Edhe Mali i Zi pati rastet e tij, duke e mbajtur takimin të hapur deri në pushim.

Trajneri Armand Dama e nisi ndeshjen me Aliajn në portë, ndërsa në formacionin titullar u aktivizuan Hazizaj, Muharremi, Avdylaj, Elqeni, Taci, Sina, Ramadani, Kopani, Mehmeti dhe Perkola.

Në pjesën e dytë, Shqipëria vijoi të kërkonte golin e avantazhit, ndërsa trajneri Dama shfrytëzoi miqësoren për të testuar edhe lojtarët e tjerë të grupit. Disa zëvendësime i dhanë mundësi futbollistëve të ndryshëm të merrnin minuta në fushë.

Momenti vendimtar i sfidës erdhi në minutën e 80-të, kur Avdylaj realizoi golin e vetëm të takimit dhe i dha Shqipërisë avantazhin 1-0. Në minutat e fundit, kuqezinjtë administruan rezultatin dhe siguruan fitoren.

Shqipëria dhe Mali i Zi do të përballen sërish më 27 gusht, këtë herë në territorin malazez. Ndeshja e dytë miqësore do të nisë në orën 11:00.