Kush është bosi aktual i “Cosa Nostra”-s, më i kërkuari në Itali (EMRI)
Mbi Matteo Messina Denaro dihen shumë gjëra. Për shembull, dihet se ai vuan pak nga strabizmi, se i pëlqen ëmbëlsirat, dhe se e kalon shumicën e orëve në arrati duke luajtur video-lojëra (e dëshmuar kjo nga disa të penduar), duke zgjidhur enigma, apo që e quajnë edhe “U Siccu” (I dobëti), dhe se i ka vendosur vetes nofkën ‘Diaboliku’.
Po ashtu dihet se ka hequr dorë pas shumë hezitimesh, nga inicialet e qëndisura në mëngët e këmishëve të tij, për shkak se ishte një shenjë potenciale e zbulimit të identitetit të tij, dhe se sërish sipas të penduarve, e mban trupin në formë përmes biçikletës së palestrës.
Pra mbi të dihen shumë gjëra, por jo më e rëndësishmja: vendndodhja e tij. Prokurorët në të gjithë Italinë, dhe policia në të gjithë botën po e kërkon, siç dëshmohet edhe nga operacioni i çuditshëm i forcave speciale holandeze pak kohë më parë në një restorant në Hagë.
Prokuroria e Trentos, që po hetonte mbi një pistë të pastrimit të parave, ishte e bindur se Matteo Messina Denaro ndodhej pikërisht në atë restorant. Denaro është “nr.1 në mesin e italianëve në arrati”, dhe një nga njerëzit më të kërkuar në botë.
Herën e fundit që dikush pretendon se e ka parë, ka qenë kur ishte pushime në Forte dei Marmi në gushtin e tij 1993, bashkë me 2 miqtë e tij të besuar Filippo dhe Giuseppe Graviano. Pastaj asgjë më shumë.
Historitë që rrëfehen mbi të, përshkruajnë figurën e një mafiozi të pamëshirshëm, i gatshëm të vrasë edhe të pafajshmit, ndoshta më dinak se të tjerët, por sigurisht më i matur, deri në kufijtë e paranojës.
Ai nuk ka qenë asnjëherë në burg. Ka lindur në Castelvetrano (Trapani), në luginën Belice në vitin 1963. Atje ndoqi shkollën fillore ??derisa braktisi Institutin Tregtar Teknik Ferrigno në Castelvetrano.
Siç është përmendur në librin “L’invisibile” (I padukshmi), shkruar nga Giacomo Di Girolamo, në një letër të gjetur nga policia në vitin 2015 Messina Denaro shkruante: “Në lidhje me jetën time kam disa keqardhje, dhe mosndjekja e shkollës së lartë është njëra prej tyre.
Ishte një nga gabimet më të mëdha të jetës sime. Zemërimi im më i madh, më buron nga fakti se isha një nxënës i mirë, vetëm se u shpërqendrova me diçka tjetër”.
Dhe ajo që e shpërqendroi Messina Denaron, ishte ndjekja e shembullit të babait të tij, Francesco, Don Ciccio, bosi mafioz i Castelvetranos, i lidhur në një aleancë të ngushtë me korleonezët e Totò Riina, klani dominues i viteve 1980-1990.
Në moshën 20-vjeçare, Messina Denaro mori pjesë aktive, së bashku me korleonezët, në luftën kundër familjeve rebele Marsala dhe Belice. Ai u bë një nxënës besnik i Totò Riina. Ai ishte tashmë një mafioz, por merrte nga shteti asistencë sociale për papunësinë, dhe mburrej për këtë fakt.
Ai udhëtonte me një makinë Porsche, vishej me rroba të shtrenjta të markës Armani, dhe mbante në dorë një orë të markës Rolex Daytona. Ishte gjyqtari i ndjerë Paolo Borsellino, ai që e përfshiu për herë të parë emrin e tij në një dosje hetimore në vitin 1989.
Një komisar policie në Castelvetrano, Rino Germanà, nisi të hetonte mbi atë djalë. Ndaj Messina Denaro vendosi që ta vriste. Ai së bashku me Leoluca Bagarella dhe Giuseppe Graviano, e ndoqën me makinë gjatë lungomares Mazara del Vallo.
Ata nisën ta qëllojnë, inspektori iu kundërpërgjigj, doli me shpejtësi nga makina, dhe u hodh në det i ndjekur nga Bagarella, kallashnikovi i të cilit u bllokua. Vite më vonë Giovanni Brusca, që përmendet shpesh në librin e libri i Di Girolamo, u shpreh gjatë njërës prej seancave gjyqësore: ”Bagarella nuk di të përdorë armët moderne!”.
Germanà shpëtoi. Pas sulmit, Messina Denaro kaloi në arrati: që nga 2 qershori i vitit 1993, emri i tij u përfshi zyrtarisht në listën e të kërkuarve. Në atë moment, ai ishte bërë tashmë kreu i “Cosa Nostra” në provincën e Trapanit, një udhëheqës i padiskutueshëm i brezit të ri të mafiozëve.
Paratë për grupin vinin nga gjobat:në pjesën dërrmuese,nga kontratat, marrëveshjet, transaksionet në zonën e Trapanit, një përqindje e caktuar duhej t’i paguhej Messina Denaro. Ndërkohë shumë para të tjera vinin nga depozitimi ilegal i mbeturinave, pastrimi i parave dhe natyrisht nga trafiku i drogës.
Paratë kaloni nëpër llogaritë e qindra njerëzve. Messina Denaro bënte dhe me sa duket vazhdon ende të bëjë biznes në Amerikën e Jugut, Spanjë, Francë, Holandë dhe Afrikën e Veriut. Një besnik i madh ndaj Totò Riines, Messina Denaro ushtronte një kontroll gati ushtarak mbi zonën e Trapanit.
Ishte ai që vendoste se kush duhej vrarë, dhe ai që komandoi “ushtritë” në luftërat midis familjeve mafioze. Shumë para vinin gjithashtu nga pallatet e reja.
Familja e tij kishte praktikisht një monopol mbi sektorin e ndërtimin në atë zonë. Ai nxiti ndërtimin e godinave ilegale përgjatë gjithë bregut të Castelvetrano dhe Mazara del Vallo.
Edhe mbledhjet midis mafiozëve mbaheshin në një nga kompanitë prodhuese të betonit në Mazara del Vallo. Aty u vendos mbi atentatin që do të kryhej ndaj gazetarit të njohur Maurizio Costanzo, dhe po aty u hartua “strategjia e masakrave”, të cilin Messina Denaro e mbështeti plotësisht.
Ishte ai që i tregoi Riinës objektivat në Romë, Milano dhe Firence, që do të goditeshin për të sulmuar shtetin gjatë viteve 1992-1993.
Francesco Geraci, një mafioz i penduar dëshmoi: “Një ditë Matteo erdhi të më takonte, për të më pyetur se çfarë mendoja për një seri atentatesh që do të kryheshin ndaj disa figurave të njohura publike si Baudo, Costanzo, Martelli, Santoro dhe personalitete të tjera të rëndësishme. Ai më tha se kjo do të destabilizonte shtetin. Unë iu përgjigja: ”Është një plan i mirë”.
Kështu ai më tha se shumë shpejt do të shkonim në Romë për t’i “vizituar ”këta vipa”. Para se të niseshin, Messina Denaro dërgoi Geraci, Vincenzo Sinacori, Giuseppe Graviano dhe Fifetto Cannella shkuan të blinin në dyqan rroba elegante. Në Romë ata nisën të frekuentonin klubet më në modë, me shpresën se do të takonin figura të njohura publike.
Ata filluan të studiojnë lëvizjet e gazetarit Maurizio Costanzo, dhe shkuan të paktën dy herë në teatrin “Parioli”, ku Costanzo regjistronte emisionin e tij. Atentati u tentua të realizohej në rrugën Fauro në Romë më 14 maj 1993:Costanzo dhe bashkëshortja e tij Maria De Filippi i mbijetuan atij të padëmtuar.
Messina Denaro vendosi që pas Vincenzo Milazzo, bosit mafioz të Alcamo, që ishte shumë kritik ndaj korleonezëve, të vritej dhe e fejuara e tij Antonella Bonomo, 3-muajshe shtatzënë, e cila u mbyt më 15 korrik 1992. Ishte po ai që autorizoi rrëmbimin dhe vrasjen e Giuseppe Di Matteo, djalit 13-vjeçar të një mafiozi të penduar.
Di Matteou rrëmbye në San Giuseppe Jato, në provincën e Palermos më 23 nëntor 1993, u mbyt, dhe më pas trupi utret në acid nga Giovanni Brusca më 11 janar 1996, pas 25 muajsh i mbajtur si peng. Por Messina Denaro është përpjekur gjithmonë që të duket ndryshe nga imazhi klasik i një mafiozi.
Në një letër që mban datën 1 shkurt 2005, e gjetur në një bazë të braktisur dhe të nënshkruar me emrin Alessio (një pseudonim që ai e përdorte shpesh), ai shkroi:“Sot unë jetoj ashtu siç ma ka diktuar fati.
Mendoj vetëm që të jem një njeri korrekt. Korrektësinë e kam shndërruar në filozofinë time të jetës, dhe shpresoj të vdes si një njeri i drejtë, gjithçka tjetër nuk ka më vlerë.
Mos mendoni se e them këtë gjë me arrogancë. Nëse dikush do të më njihte, do të vinte re vetëm përulësinë në ato që po them. Në fjalët e mia, nuk as ligësi dhe urrejtje ndaj dikujt. Unë e kam njohur dëshpërimin e thellë, dhe kam qenë i vetmuar. Kam njohur ferrin dhe kam qenë vetëm.
Jam rrëzuar shumë herë, dhe po vetë jam ngritur. Kam njohur mosmirënjohjen nga ana e të gjithëve, dhe kam qenë po vetëm. Kam “ngrënë dhe“,jam ushqyer në vetmi me të; a mund të ketë besim një njeri që i ka kaluar të gjitha këto gjëra në heshtje?
Nuk e besoj. Sot pres që fati im të përmbushet duke ndjekur këtë mendim: “Unë kam parë atë që më ka dhënë jeta,dhe nuk kam pasur frikë, nuk e kam kthyer kokën në anën tjetër, dhe nuk kam falur atë që nuk mund të falet”.
Dhe në një letër tjetër, në të cilën ai citon ndër të tjera shkrimtarin brazilian Jorge Amado, Messina Denaro shprehet: “Jorge Amado thoshte se nuk ka asgjë më të ulët sesa kur drejtësia përzihet me politikën, dhe unë bie dakord me të. Sa i përket vdekjes, mendoj se kam pasur një raport të veçantë me të.
Ajo më ka ardhur gjithnjë rrotull,dhe unë di ta njoh. Kur isha i ri e sfidoja me mendjelehtësi për shkak të pavetëdijes sime rinore. Sot si një burrë i pjekur, nuk e sfidoj më. E godas në shkelma në kokë, sepse nuk e kam frikë. Jo dhe aq sepse jam shumë guximtar, por më shumë se çdo gjë tjetër sepse nuk e dua jetën.
Vdekjes i frikësohen ata që bëjnë një jetë të mirë në këtë botë, dhe për këtë arsye kanë diçka për të humbur. Unë nuk kam bërë një jetë mirë në këtë botë, dhe për këtë arsye nuk kam asgjë për të humbur, as dashuritë që i kam humbur tashmë prej shumë vitesh.
Unë shpresoj vetëm që të mund të arrij të bëj atë që kam pasur si synim para se të largohem nga kjo botë. Ka ende disa faqe të historisë sime që duhen shkruar. Nuk do të jenë “të mirët” dhe “të drejtët” e epokës sonë, ata që do ta frenojnë një njeri si unë”.
Arrestimi i Totò Riina
Pas arrestimit të Totò Riinas më 15 janar 1993, Messina Denaro u bë udhëheqësi i padiskutueshëm i “Cosa Nostra”. Ai nuk kishte asnjë alternativë tjetër, pasi ishte “delfini” i tij.
Më vonë duket se Riina u pendua për atë zgjedhje. Në vitin 2013, gjatë një bisede të përgjuar në burg me mafiozin Alberto Lorusso, një puljez nga Sacra Corona Unita, Toto u shpreh: ”I ati ishte burrë i mirë.
Por i biri nuk mori asgjë prej tij. Ky zoti Messina që merret me këto impiantet eolike, e cilëson veten të madh. Se kërkon të bëjë para me to!”.
Riina ankohej ndoshta për strategjinë e re të pasardhësit të tij, udhëheqësit të brezit të ri të “Cosa Nostra”, atë të sipërmarrësve mafiozë, të cilët siç tha një i penduar “preferonin një të vdekur më pak, dhe një tufë parash me shumë”. Ka shumë gjëra që e dallojnë Messina Denaro, nga mafia që drejtohej dikur nga Totò Riina dhe Bernardo Provenzano.
Njëra është se Messina Denaro nuk është i martuar, nuk ka përreth një familje tradicionale. Sonias, njërës nga të dashurat e tij, i shkroi gjatë periudhës së parë të arratisë:“Unë as që dua ta mendoj përfshirjen tënde në këtë labirint, nga i cili nuk e di se si do të dal, për faktin e thjeshtë që unë nuk e di si dhe kur kam hyrë. Mos mendo më për mua, nuk ia vlen!”.
Një e dashur tjetër, Maria Mesi, u zhyt në telashe, dhe u arrestua për ndihmën ndaj tij. Në vitin 1995 i dërgoi një letër Messina Denaros, në të cilën ai shkruante: “Të lutem mos më thuaj jo, dua vërtet të të bëj një dhuratë.
E di, kam lexuar në revistën e video-lojërave se ka dalë në treg “Donkey Kong 3”, dhe mezi pres të ta blej. Loja “Secret Maya 2”, nuk ka mbërritur ende. Ti je gjëja më e bukur që ekziston”.
Duke përgjuar Mesi, policia iu afrua shumë kapjes së Messina Denaros. Ishte viti 1998, kur duke shkuar pas saj hetuesit zbuluan një bazë në Bagheria në rrugën Milwaukee 40. Kur agjentët hynë brenda, Messina Denaro tashmë ishte arratisur. Aty u gjet një kavanoz Nutella, një tjetër me havjar, një lojë me enigma, dhe një paketë cigare Merit.
Para Maria Mesi dhe Sonias, kishte qenë një grua austriake, Andrea Haslener, të cilën ai e thërriste shkurt Asi. Ata ishin të lidhur për 4 vjet, 1989-1993, dhe u njohën në Castelvetrano kur ajo ishte një recepsioniste në hotelin “Paradise Beach”. Messina Denaro, Graviano dhe anëtarë të tjerë të mafies, nisën të frekuentojnë me kujdes hotelin.
Drejtori i hotelit, Nicola Consales, i tha Andrea Haslener se ata njerëz nuk ishin të mirëpritur atje. Consales u vra më 21 shkurt 1991. Gjatë viteve 1995-1996, Messina Denaro pati një lidhje me një grua tjetër nga Castelvetrano, Franca Alagna. Nga kjo lidhje, në vitin 1996 lindi një vajzë, Lorenza.
Që nga ajo kohë Alagna e humbi të gjithë pavarësinë e saj. Ajo ishte gjithmonë e detyruar të rrinte e mbyllur në shtëpi, dhe kur dilte jashtë, shoqërohej nga të afërmit apo nga njerëzit e partnerit të saj.
Në vitin 2013, kur vajza e saj ishte gati të arrinte moshën madhore, ajo dhe nëna e saj kërkuan që të largoheshin nga Castelvetrano, dhe rrjedhimisht edhe nga bota kriminale e Messina Denaros.
Nga vendi ku fshihej, bosi i mafies dha pëlqimin e tij. Sipas hetuesve, vajza nuk e ka parë kurrë babanë e saj. Më 14 korrik të këtij vitit Messina Denaro u bë gjysh. Vajza e tij lindi një fëmijë i cili nuk mban mbiemrin e babait, por atë të nënës.
Por është një grua tjetër, ajo që ka qenë gjithmonë pranë Messina Denaro: motra e tij Patrizia. Për një kohë të gjatë, ishte ajo që i çonte mesazhet vëllait të saj dhe dërgonte në destinacion mesazhet e nisura prej tij. Në vitin 2018 ajo u dënua me 14 vjet burg për lidhje me mafien.
Në vendimin e gjykatës ndër të tjera thuhej:”Është vërtetuar se e pandehura ka përcjellë mesazhe shumë të rëndësishme nga dhe drejt burgut, duke vepruar si një ndërmjetëse midis të burgosurve të tjerë mafiozë, dhe vëllait të saj që ndodhet ende në arrati”.
Që nga jo kohë, Messina Denaro është bërë më i matur me lëvizjet e tij. Hetimet kanë zbuluar se ai jep urdhra vetëm përmes një rrjeti lajmëtarësh shumë të besuar. Ai nuk përdor telefona, por vetëm pusulla të vogla.
Ishte ai vetë që shpjegoi se si komunikohej me këto lloj pusullash, tek një e tillë dorëzuar ish-kryebashkiakut të Castelvetrano Antonio Vaccarino, që në fakt vepronte në emër të SISDE-s, shërbimit sekret italian. Vaccarino arriti të lidhej me Messina Denaro, duke u shtirur donte të hapte një zinxhir supermarketesh në zonën e Agrixhentos.
Të dy filluan që të shkëmbejnë pusulla të vogla. Në të parën, Messina Denaro shkroi: ”Të gjithë njerëzit që kanë kontakte me mua, mbajnë nofka. I yti do jetë Suetonius, dhe kjo do të të mbrojë nga rreziqet e panevojshme.
Ti duhet të më dërgosh pusullën me përgjigjen tënde përmes të njëjtit person me të cilin do ta mbash kontakte. Mendoj se nuk do ta kesh të vështirë ta gjesh atë.
Duhet të ma dërgoni letrën me përgjigjen jo më vonë se data 20 dhjetor. Edhe ai mund t’jua dorëzojë pusullën time në datën 19, por jo më vonë, përndryshe nuk do të arrijë më. Përgjigjen time nuk do ta merrni menjëherë, pasi më janë vënë pastë gjithë”.
Arrestimin i Bernardo Provenzano
Kur Bernardo Provenzano u arrestua më 11 prill 2006, i fshehur në një fermë pranë Korleones, policia gjeti shumë pusulla, përmes së cilave cilat Messina Denaro i shpjegonte bosit të moshuar se çfarë biznesi po ngrinte me Vaccarinon.
Më pas ish-kryebashkiaku mori një pusullë të fundit, në të cilën Messina Denaro e këshillonte të “bënte një jetë transparente, që të mos përfshihej në hetime”.
Kur gazeta “La Repubblica”, zbuloi se Vaccarino po vepronte në fakt në emër të SISDE, Messina Denaro ndërpreu çdo kontakt. Ndoshta ai ia ka dalë të qëndrojë në arrati prej 28 vitesh, edhe falë këtij sistemi komunikimi. Policia nuk ka gjurmë të gishtërinjve të tij, por vetëm një regjistrim në të cilin dëgjohet zëri i tij.
Ai ruhet në arkivin e gjykatës së Marsalas, dhe daton qënë vitin 1993. Fotografitë janë të vjetra, dhe nuk kanë asnjë shënim të kohës, pasi ai nuk ka qenë asnjëherë në burg. Sot për sot ka vetëm disa rindërtime imazherike, se si mund të duket sot në moshën 58 -vjeçare.
Sipas hetuesve që po e kërkojnë, ai jeton prej kohësh larg Siçilisë, dhe madje jashtë Italisë. Kjo sepse edhe pusullat që ai dërgon, mbërrijnë në destinacionin e tyre edhe pas disa muajsh.
Është gati e sigurt që në fillim të viteve 2000, nën një emër të rremë, ai u kurua në Barcelonë për një sëmundje degjeneruese të kornesë së syrit. Po sipas dëshmive të mëvonshme ai ka qenë në Austri, Zvicër, Spanjë, Tunizi, dhe sigurisht në Greqi, ku shkoi për pushime në vitin 1994 me Mesin nën emrin e rremë Matteo Cracolici.
Po ashtu duket se ka pasur lidhje me Venezuelën. Varrezat ku prehet i ati i tij (që vdiq në vitin 1998 nga një sulm në zemër,gjatë kohës që ishte në arrati) janë të pajisura me kamera, por ai Matteo nuk u parë asnjëherë atje.
Disa të penduar kanë dëshmuar se baza e tij ishte rajoni i Toskanës, dhe se ai ka ndryshuar pamjen gjatë një operacioni plastik të kryer në Bullgari.
Bashkëpunëtori i drejtësisë Mario Pasta, pohoi se në majin e vitit 2010, Messina Denaro ishte në stadiumin “Renzo Barbera” për të parë ndeshjen midis Palermos dhe Sampdorias. Atje ai takohej me shefat e tjerë të mafies. Ndërkohë, sot gjithçka është vështirësuar për të.
E motra, krahu i tij i djathtë, ndodhet në burg. Shumë nga njerëzit e tij të besuar janë kapur nga policia. Operacionet e policisë, që arrestojnë bashkëpunëtorët e tij ndjekin njëri -tjetrin, ashtu si sekuestrimi i pasurive të menaxhuara nga njerëzit e tij besnikë.
Ai që bëri biznes në botën e artit për llogari të Messina Denaro, ishte Giovanni Franco Becchina, një tregtar i mirënjohur ndërkombëtar i veprave të artit dhe i objekteve historiko-arkeologjike.
Asetet, bizneset, toka, llogaritë bankare, automjetet dhe ndërtesat e tij u sekuestruan, përfshirë kështjellën Bellumvider në Castelvetrano, e ndërtuar në kohën e Frederikut II, dhe në atë kohë rezidenca e familjes fisnike Tagliavia-Aragona-Pignatelli, princat e Castelvetranos.
Sipas Drejtorisë së Hetimit Anti-Mafia, të gjitha pronat ishin në fakt të Messina Denaros.
Bashkëpunëtori i drejtësisë Mariano Concetto,dëshmoi se ishte porositur nga Messina Denaro për të vjedhur Satiro Danzante, një objekt shumë i rëndësishëm arkeologjik, që ruhet në Mazara del Vallo.
“Për atë punë, shefi na tha se ne nuk do të merrnin as edhe 1 euro. Dhe se nëse do të ankoheshim, do të përfundonim në kanalin e Mesinës”-rrëfeu Concetto. Megjithatë, atë vjedhje, Messina Denaro nuk ka arritur që ta kryejë.
LEXO TE NGJASHME