Shpërthimi i lisë së majmunëve/ Çfarë duhet të dini për sëmundjen
Disa vende evropiane, por edhe SHBA, Kanadaja dhe Australia po hetojnë rastet e shpërthimit të sëmundjes së lisë së majmunëve.
Kjo sëmundje është një infeksion i rrallë viral, që është i zakonshëm në disa vende të izoluara të Afrikës. Rastet e para u pikasën në Britani dhe tanimë harta është zgjeruar ndjeshëm.
Virusi nuk përhapet me lehtësi mes njerëzve dhe rreziku për publikun e gjerë mbetet i ulët, shkruan BBC.
Por cilat janë simptomat e sëmundjes?
Simptomat fillestare përfshijnë ethe, dhimbje koke, ënjtje, dhimbje shpine, dhimbje muskujsh dhe pagjumësi. Pas shpërthimit të etheve, mund të nisë skuqja e fytyrës. Këto puçrra mund të përhapen më pas edhe në pjesën tjetër të trupit. Kjo sjell kruajtje të forta dhe kalon në zgjebe. Infeksioni zakonisht largohet vetë dhe zgjat nga 14 deri në 21 ditë.
Si prekesh nga kjo sëmundje?
Lija e majmunëve mund të përhapet kur dikush është në kontakt të ngushtë me një person të infektuar. Virusi mund të hyjë në trup përmes lëkurës së çarë, traktit respirator ose përmes syve, hundës ose gojës. Nuk është seksualisht i transmetueshëm, por mund të transmetohet nga kontakti i drejtpërdrejtë gjatë seksit. Mund të përhapet edhe nga kontakti me kafshët e infektuara si majmunët, ketrat dhe minjtë, ose nga objekte të kontaminuara me virus si shtrati apo veshjet.
Sa i rrezikshëm është?
Shumica e rasteve të virusit janë të lehta, ndonjëherë të ngjashme me linë e dhenve dhe pastrohen brenda pak javësh. Megjithatë lija e majmunëve ndonjëherë mund të jetë më e rëndë dhe është raportuar se ka shkaktuar vdekje në Afrikën perëndimore.
Cili është trajtimi?
Nuk ka kurë për linë e majmunëve, por shpërthimet mund të kontrollohen duke parandaluar infeksionet. Vaksinimi kundër lisë është vërtetuar se është 85 përqind efektiv në parandalimin e lisë së majmunëve dhe përdoret ende ndonjëherë. Ekspertët besojnë se vaksinimi pas ekspozimit ndaj lisë së majmumit mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjes ose ta bëjë atë më pak të rëndë.
LEXO TE NGJASHME