Pjata te quajtura italiane, por qe nuk jane te tilla

345855

Nëpër botë ekzistojnë shumë receta të njohura si italiane, por që në Belpaese janë krejt të panjohura ose të përdorura vetëm në disa zona. Shpesh bëhet fjalë për kultura të ngjashme, por që në një farë mënyre, janë shumë të ndryshme, siç mund të jetë ajo italo-amerikane. Kjo e fundit, edhe pse i ka rrënjët në gatimet e emigrantëve italianë në Shtetet e Bashkuara, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX-të, me kalimin e kohës u bë një gastronomi autonome, me karakteristikat e saj të veçanta, e përhapur nëpër të gjithë Amerikën. Pra, prejardhja mund të jetë nga disa pjata tipike italiane, por sot ato janë krejt të ndryshme prej këtyre të fundit. Më poshtë do të gjeni disa ushqime dhe tradita tipike, të njohura si italiane, por që nuk janë të tilla.

1- Kapuçino pas vaktit

Nuk ka dyshim që kafeja dhe kapuçino janë dy pije italiane, por nëse e para zakonisht konsumohet pas ushqimit, e dyta pihet larg vakteve ose në mëngjes, e shoqëruar me një ëmbëlsirë. Ndryshe nga ky zakon italian, jashtë Italisë, kapuçino shpesh konsumohet në fund të vaktit, njësoj si kafeja.

2- Rizoto dhe makarona si shoqëruese

Sipas traditës, gjatë drekës italiane – vetëm në këtë vend ndodh kështu – pastat, dhe pothuaj gjithmonë orizi, shërbehen si pjata më vete. Shërbimi i pastave si shoqëruese të ushqimeve të tjera është shumë e përhapur në shumë vende, por në Itali ky është gati-gati një sakrilegj.

3- Festa e “7 Peshqve” 

E njohur në Shtetet e Bashkuara edhe si “The Vigil”, kjo traditë e përdorur në vigjilje të Krishtlindjes, parashikon shtrimin në tryezë të 7 lloje gatimesh me prodhime deti. Sa për kuriozitet, “Festa e 7 peshqve”, që në Amerikë njihet nga shumica si një nga mënyrat më të rëndësishme festive italiane, në të vërtetë është krejt e panjohur në Itali, sidomos në Jug. Ekzistojnë tradita të ngjashme, siç është e zakonshme që mbrëmjen e 24 dhjetorit të mos hahet mish.

4- Keçap me makarona

Është një nga zakonet që italianët i lë pa fjalë. Dakort, keçapi mund të ketë diçka të ngjashme me salcën e domateve, por ta hedhësh atë sipër makaronave në Bel Paese konsiderohet një krim gastronomik.

5- Spageti alla bolonjeze

Është me siguri receta italiane më e përhapur në botë, vetëm se është praktikisht e pamundur të gjesh në Bolonja një restorant që të shërbejë një pjatë të tillë. Në qytetin mëmë të ragusë alla bolonjeze, kjo shoqërohet kryesisht me taljatele me vezë. Mund t’ju duket një detaj i pavlerë, por në të vërtetë, në gastronominë italiane kombinimi i salcës me makaronat e duhura është një procedurë e shenjtë.

6- Makarona me pulë

Nëse jeni në Amerikë, nuk është çudi që shpesh t’ju këshillojnë si një nga pjatat tipike italiane, makaronat me pulë. E pra, mund të jetë pak e sikletshme të thuhet, por në Itali nuk ekziston një recetë tradicionale e makaronave të ngrohta të shoqëruara me salcë me bazë pulën!

7- Sallata Çezar

Kjo sallatë që mban emrin e shpikësit të saj të supozuar, Çezar Kardini, bën pjesë në listën e gjatë të shpikjeve të kuzhinierëve me origjinë italiane, por që në të vërtet në Itali është pak e njohur.

8- Mbulesa me kuadrate të bardha dhe të kuqe

Për ndonjë arsye të çuditshme, mbulesa e tryezës me kuadrate të kuqe dhe të bardha lidhet me gastronominë italiane. Jashtë Italisë, pothuaj në çdo restorant që do të riprodhojë një ambient tipik italian, përdor të tilla. Por turistët që vizitojnë qytetet italiane mbeten të zhgënjyer kur zbulojnë se në restorantet tipike italiane, këto lloj mbulesash nuk përdoren pothuajse kurrë.

9- Makaronat “Fettuccine Alfredo”

Kjo pjatë mund të jenë më interesantja e listës. Ajo është pjata tipike italiane më e famshme në Shtetet e Bashkuara, por më pak e njohura në Itali. Këto lloj makaronash të gatuara me gjalpë dhe djathë parmigiano, janë shpikur në Bel Paese nga Alfredo Di Lelio, pronar i një restoranti roman, por që në Itali nuk janë përmendur kurrë si pjatë tradicionale. Ama përtej oqeanit janë bërë gjithnjë e më të famshme, duke u kthyer madje në simbol të jetës së bukur romane. Ndaj nuk është çudi që çdo turist kërkon t’i provojë me të mbërritur në Itali. Por, sigurisht, do të ngelen të zhgënjyer...

10- Spageti me qofte

Një nga skenat më të famshme të filmit vizatimor “Lili dhe Vagabondi” është ajo ku dy qenve iu serviret, mbi një mbulesë tavoline me kuadrate të kuqe dhe të bardha, një pjatë spageti me qofte të mëdha sipër. Në Amerikë kjo është një pjatë që njihet si e traditës italiane, por, në fakt, është traditë italo-amerikane. Megjithatë mbetet e vërtetë që në gastronominë mesdhetare janë shumë të përhapura recetat e ndryshme të salcave me qofte, siç është e vërtetë se qoftet janë të vogla, ndryshe nga ato të përhapura në Shtetet e Bashkuara.  

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.