Torte me molle dhe limon
Sapo janë bërë mollët e vendit! Mund të jenë pak të forta por janë gjithë lëng, mund t’i përdorni në këtë ëmbëlsirë të thjeshtë!
Perberesit:
400gr miell
200gr gjalpë në temperature ambienti
200gr sheqer
2 vezë
1 sodë për ëmbëlsira
lëkura e ½ limoni bio të grirë me rende
Për mbushjen:
3 mollë të mëdha ose 4 të vogla
50gr gjalpë
3 lugë sheqer kaf
Përgatitja:
Përgatisim brumin Frola duke përzierë në fillim miellin dhe sodën (që e hedhim nëpërmjet një site). Shtojmë gjalpin në kubikë dhe lëkurën e limonit. I përziejmë me shpejtësi. Shtojmë sheqerin dhe në fund vezët, një nga një. I përziejmë mirë sa të kemi një brumë homogjen. Ndajmë brumin në dy toptha nga të cilët njëri duhet të jetë më i madh. Hapim topin më tëmadh me petës në një plan pune të lyer me miell. E vendosim në tavë të lyer më parë me pak gjalpë e miell dhe përpiqemi të veshim edhe anësoret e tavës për të paktën 2-3cm, shpojmë bazën me pirun, e mbulojmë me letër plastike për kuzhinë dhe e vëmë tavën në frigorifer për 30 minuta. Hapim dhe topin tjetër të brumit, e vendosim mbi një pjatë të madhe të sheshtë ose mbi një tabaka të madhe, e mbulojmë me letër plastike për kuzhinë dhe e vëmë në frigorifer për 30 minuta. Ndërkohë mollët e qëruara dhe të ndara në feta të holla i hedhim në një tigan me gjalpin dhe sheqerin. I lëmë në zjarr për 10
minuta ose derisa të zbuten, i përziejmë here pas here me lugë druri me kujdes. Më pas, I lëmë mënjanë të ftohen.
Marrim tavën nga frigoriferi dhe hedhim sipër mollët, vendosim sipër petën tjetër të brumit duke pasur kujdes që të mbyllim mirë anësoret (sikur mbyllim byrekun). Bëjmë disa të çara të vogla në petën e sipërme për të pasur mundësi të dalë avulli që krijohet gjatë pjekjes. Piqet në furrë të ngrohur më parë me 180° për 30-40 minuta ose derisa të ketë marrë ngjyrë.