Byreku Francez
Përbërësit
- 250 gr miell
- 125 gr gjalpë (të jetë i butë në temperaturë ambienti)
- 1 vezë (e verdha)
- 50 ml ujë
- pak kripë
- 300 ml qumësht (të jetë i butë në temperaturë ambienti)
- 3 kokrra vezë
- pak kripë
- pak piper
- pak arrëmyshk
- 1 kokërr qepë e kuqe
- pak majdanoz
- 1 karotë
- 1 kungull
- 1 spec (i prerë në formë rrethore)
- 50-60 gr kërpudha
- 100 gr domate qershi
- 30 gr ullinj të zinj
- pak djathë kaçkavall (i grirë)
- salmon (i tymosur
Përgatitja
Si fillim përgatisim brumin. Në një enë hedhim miellin, kripën, gjalpin. Me majat e gishtave përziejmë gjalpin me miellin derisa përbërja e miellit me gjalpin të bëhet si rëra. E fërkojmë përbërjen paksa mes duarve. Ky proces nuk duhet të zgjas gjatë.
E hapim miellin dhe hedhim ujin në mes. Shtojmë dhe të verdhen e vezës. Ngjeshim brumin shpejt në mënyrë që të gjithë përbërësit të përzihen mirë. Brumi duhet të jetë homogjen.
Në planin e punës shtrojmë letër kuzhine, hedhim pak miell dhe fillojmë të hapim brumin duke bërë kujdes çarjet që mund të krijohen anash. E vendosim me gjithë letër mbi tavë dhe e shpojmë lehtë me pirun. Në mungesë të letrës së kuzhinës, lyejmë tavën me gjalpë për të evituar ngjitjen. Brumi i tepërt që del sipër bordit së tavës mund të pritet me thikë.
Vendosim tavën në frigorifer dhe vazhdojmë me përgatitjet e perimeve. Pasi i kemi larë, presim perimet në formë kubike dhe shtojmë pak vaj ulliri, pak majdanoz dhe pak kripë. I vendosim në zjarr të ngadaltë.
Shtojmë dhe kërpudhat së bashku me pak gjalpë (sipas dëshirës). Në një enë qelqi hedhim tre vezë dhe i rrahim me pirun, shtojmë pak pana dhe pak qumësht (në mungese të panës shtoni vetëm qumësht. Masat e kremit të qumështit, duhet pak a shumë, aq sa të mbulojnë perimet në tavë).
Ndërkohë furrën e ndezim në temperaturën 180 gradë. Nxjerrim tavën ku hapëm brumin nga frigoriferi. Hedhim pak djathë të grirë kaçkavall, pastaj shtrojmë perimet. Hedhim kremin e përgatitur, disa domate qershi, përsëri pak arrë moskat, vendosim sipër salmonin e tymosur dhe e vendosim në furrë 180 gradë përreth 50 – 60 min
Pasi është pjekur, e lini të ftohet dhe e shërbejmë quinche lorraine në copa.