Karkaleca deti me kadaif, parmixhan dhe rukola
Alessandro Gianpietro ka propozuar për lexuesit jo pak receta. Sot po ju shkëpusim një prej tyre, me karkaleca.
Përbërësit për 4 persona:
12 karkaleca të mëdhenj
100 gr kadaif
150 gr rukola
150 gr parmixhan
Mjaltë
Kripë, piper, vaj ulliri sipas dëshirës
Përgatitja:
Pastrojmë karkalecat e detit pa u hequr pjesën e kokës. I spërkasim me pak kripë dhe piper dhe i lëmë mënjanë. Ndajmë kadaifin në pjesë dhe mbështjellim secilin karkalec deti rreth trupit. I vendosim në tavë, spërkasim me vaj ulliri dhe i pjekim në temperaturë 180 gradë deri sa kadaifi të marrë ngjyrë të artë.
Ndërkohë shkrijmë parmixhanin, e hedhim të ftohet në tasa të vegjël të kthyer përmbysë dhe i lëmë të ftohen dhe të marrin formën e tasit. Vendosim parmixhanin në një pjatë të cekët, hedhim rukolën dhe mbi të vendosim karkalecat e detit. Në fund, spërkasim pjatën me mjaltë dhe është gati për t’u shërbyer.