Tabaku: Euro në pikën e saj më të ulët, kush përfiton nga kjo situatë?
“Dje, Euro shënoi pikën më të ulët në raport me monedhën tonë vendase. Kursi këmbimit tregonte që 1 euro këmbehej me më pak se 100 lekë.
A do të thotë forcimi i monedhës shqiptare në raport me Euron që familjet tona janë më të pasura? Që një shqiptar i shtresës së mesme blen më shumë në pazarin e fundjavës? Që një shqiptar që punon gjithë ditën ka më shumë të ardhura? Që një bujk që gdhihet në mëngjes dhe punon tokën derisa perëndon dielli do të marrë më shumë për produktin e tij?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë me shumë gjasa, JO!
Një monedhë më e fortë lek nuk vjen si pasojë e një ekonomie që po rritet në sektorët e saj. Sipas të gjithë treguesve ekonomik që raporton INSTAT, ekonomia po rritet vetëm nga ndërtimi. Kush e sponsorizon ndërtimin? Rrogat e shqiptarëve?!
Një monedhë vendase e fortë nuk do të thotë një shqiptar më i pasur, por një shqiptar më i varur nga importi. Një monedhë vendase më e fortë do të thotë kosto më të larta importi, që rriten edhe më shumë kur Autoriteti Konkurrencës nuk bën detyrën sepse tregun e sundojnë monopoli.
Një monedhë vendase më e fortë nuk është shenjë e mirë për shtresën e mesme dhe as për punëtorin që rropatet përditë. Shifrat e EUROSTAT që krahasojnë fuqinë blerëse të shqiptarëve në raport me rajonin, tregojnë se jemi më të varfër dhe kemi çmimet më të larta.
Një monedhë vendase më e fortë nuk janë më shumë të ardhura për bujkun; i lënë në harresë pa një reformë reale, me mjete primitive në shërbim, me mungesë subvencionesh, i keqtrajtuar fiskalisht dhe me një treg të monopolizuar ai nuk dërgon dot produktin e tokës sonë as në tryezën e familjeve tona as të turistëve.
Atëherë kush përfiton nga zhvlerësimi euros? Monopolet e importit, ato të grosistëve të mëdhenj, të parasë së pisët informale dhe të një sektori që përditë e më shumë futet në zonën e riskut të kuq; ndërtimi.
Pra, përfitojnë ata të dyshuarit e përhershëm që duan këtë moçal ekonomik dhe sistem të korruptuar të qëndrojë përjetësisht në kurrizin e çdo shqiptari të ndershëm që punon, të shtresës së mesme dhe të bujqve. Prandaj ata nuk e duan qarkullimin duke preferuar stanjacionin”, shkruan Tabaku.
LEXO TE NGJASHME