I mori miliona përdorues WhatsApp, Signal pëson vështirësi teknike
Platforma e mesazheve, Signal, ka përjetuar vështirësi teknike ndërsa po punon për të sistemuar miliona përdorues të rinj. Disa përdorues, raportuan se mesazhet nuk shkonin në destinacion, si në aplikacionet në aparatet celulare ashtu edhe në aplikacionet në desktop, për disa orë.
Kompania ka parë një interes të shtuar që kur rivalja e saj WhatsApp prezantoi kushtet e reja të sigurisë, javën e kaluar. Në Twitter, Signal tha se ka shtuar servera me një ritëm rekord dhe se po punonte që të rikthehej shërbimi.
“Miliona e miliona përdorues të rinj po dërgojnë një mesazh që tregon se privatësia ka rëndësi”, tha kompania në një postim.
Si Signal ashtu edhe Telegram, një tjetër aplikacion i lirë për përdorimin e mesazheve të koduara, kanë përfituar nga pakënaqësia e shkaktuar nga kushtet e rishikuara të WhatsApp. Kjo e fundit ka thënë se 2 miliardë përdoruesit e saj duhet ta lejojnë që të ndajë të dhënat me kompaninë e saj ëmë, Facebook, nëse duan që të vazhdojnë ta përdorin atë. Kjo nuk aplikohet për përdoruesit në Britaninë e madhe dhe Evropë, por njoftimi i është dërguar të gjithëve.
LEXO TE NGJASHME