Te blesh apo te marresh shtepi me qira
1. Kontrollo me kujdes dhe në çdo detaj shtëpinë që do të blesh
Meqënëse blerja e një shtëpie përbën një ndër investimet më të rëndësishme, kontrolli në detaje është diçka e domosdosshme. Kontrollo nëse shtëpia ka izolim të lartë termik dhe akustik. Shih me kujdes të gjitha lidhjet e ndryshme elektrike, prizat, çelësat, etj. Sigurohu që materialet e përdorura të jenë sa më cilësore. Kontrollo me shumë kujdes cilësinë e punimeve të brëndshme, që nga shtrimi i pllakave dhe deri tek detajet më të vogla. Gjithmonë verifiko nëse hyrja apo shtëpia që kërkon të blesh të ketë dritare alumini, gjë e cila siguron nivel të lartë të izolimit termik. Sigurohu që pajisjet hidrosanitare të jenë cilësore dhe gjithashtu kontrollo nëse janë përdorur bojra kundra mykut dhe lagështirës. Cilësia gjithmonë është kursim.
2. Ki parasysh që blerja e një shtëpie përfshin nënshkrimin e një kontrate
Blerja e një shtëpie shoqërohet me firmosjen e dokumenteve të shumta. Shumica e këtyre dokumentave janë kontrata dhe këtu duhet të tregosh kujdes para se të firmosësh. Zakonisht kontratat janë të negociueshme, por është e nevojshme të lexosh me kujdes të gjitha pikat e kontratës para se të firmosësh. Tek e fundit, kontrata për shit-blerjen e një shtëpie përbën një transaksion financiar, ndaj është e domosdoshme që të kërkosh sqarime të detajuara rreth çdo pike të kontratës.
3. Mos bli duke u bazuar mbi jetën që bën tani.
Gjasat janë që blerja e një shtëpie përbën një ndër angazhimet më të rëndësishme financiare ne jetën e secilit prej nesh. Para se të vendosësh për blerjen e asaj që ti mendon se është shtëpia e ëndrrave të tua, reflekto mbi planet e tua afatgjata. Mendon të qëndrosh te puna që ke tani? Ke në plan të martohesh, të kesh fëmijë? Në varësi të tregut të shtëpive si dhe kushteve të kredisë, ka mundësi që të mos shlyesh shumën e plotë në pesë apo shtatë vjet, pasi kredi të tilla kanë shtrirje kohore deri në 20-25 vjet. Nga ana tjetër, nëse mendon që shtëpia që dëshiron të blesh nuk është e duhura për ty, është e udhës që të vazhdosh të kërkosh për shtëpi të tjera.
4. Mendo për anagazhimet që kërkon blerja e një shtëpie
Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për kredinë e shtëpisë. Kur martohesh, ligji përcakton qartë sesi trajtohen asetet e tua dhe si ndahen ato në rast divorci. Rregulla të tjera zbatohen kur nuk je i martuar. Prandaj është e domosdoshme që të mendosh në terma afatgjatë. Kur ble shtëpi bashkë me një person që nuk është bashkëshortja jote apo bashkëshorti yt, sigurohu që të kesh një strategji të qartë nëse gjërat mes jush nuk shkojnë ashtu siç shpresoje. Do ishtë mirë të kishe një marrëveshje të shkruar në lidhje me elementë të tillë si pronësia mbi shtëpinë, pagesat për kredinë, detyrimet e ndryshme që rrjedhin nga blerja e një shtëpie, riparimet e ndryshme, etj.
5. Shih përtej pamjes së shtëpisë
Shpesh ndodh që shtëpia që dëshiron të blesh ka një dhomë të cilën dëshiron t’a lyesh sipas shijeve të tua. Zakonisht, lyerja ose vendojsa e letrave murale nuk kushton shumë, por të bësh ndryshime në kuzhinë ose në banjë do të thotë të kesh shpenzime të konsiderueshme. Zakonisht, njerëzit përqëndrohen tek kostot e pajisjeve të ndryshme por ndonjëherë harrojnë faktin që kostoja e punës për vendosjen e tyre rrit edhe me tej koston përfundimtare të shtëpisë. Kjo nuk do të thotë se duhet të heqësh dorë nga një shtëpi e cila kërkon rregullime, por gjithmonë duhet të llogarisësh shpenzimet shtesë që sjellin riparimet e ndryshme, për të parë nëse e përballon apo jo çmimin përfundimtar të shtëpisë.6. Bli një shtëpi të cilën e di që mund t’a përballosh
Ki parasysh që nëse kushtet e kredisë për shtëpi mbeten po ato, rrethanat e jetës ndryshojnë vazhdimisht. Për shembull, edhe nëse je në një punë të mirë dhe të qëndrueshme, ekonomia është e luhatshme. Në qoftë se rrethanat ndryshojnë për keq, është e nevojshme të mendosh edhe për aftësinë tënde paguese në lidhje me kredinë e shtëpisë. Një shtëpi më e lirë të lejon të paguash kredinë edhe me më pak para në dizpozicion. Cili është raporti më i mirë mes çmimit të shtëpisë dhe kredisë që duhet të paguash? Disa ekspertë sugjerojnë që pagesat mujore për kredinë e shtëpisë nuk duhet të kalojnë një të tretën e të ardhurave të tua mujore, por shumë të tjerë këshillojnë afërsisht 28 % për të gjitha kostot që lidhen me shtëpinë si kredia, sigurimi dhe taksat e ndryshme. Në llogaritjen e këtij raporti hyjnë në lojë faktorë të tillë si të ardhurat e tua të pritshme, normat e interesit, lloji i kredisë që merr si dhe tregu i përgjithshëm i pronave të paluajtshme.
7. Mos u fikso me çmimin e shtëpisë
Çmimi i blerjes së një shtëpie është vetëm një nga hapat e shumtë që nevojiten për t’u bërë pronar i saj: sigurohu që të marrësh parasysh të gjitha kostot që lidhen me shtëpinë që kërkon të blesh. Këtu përfshihen çmimi i siguracionit për shtëpinë, pagesa për pronësinë si dhe taksa të tjera, të cilat ndryshojnë në varësi të zonës. Dhe nuk janë vetëm ndryshimet që i bën shtëpisë të cilat kushtojnë para: edhe mirëmbajtja e saj kushton. Këshillohet që të pyesësh në lidhje me kostot shtesë për sistemet e sofistikuara të ngrohjes dhe ftohjes së shtëpisë. Mbi të gjitha, bëj krahasimet e duhura: një shtëpi e shtrenjtë që shitet më çmim të lirë mund të të kushtojë më tepër sesa një shtëpi e shtrenjtë me kosto të ulta mirëmbajteje, ndërsa një shtëpi që shitet lirë por që ka taksa të larta mund të të kushtojë më tepër se një shtëpi e lirë me shpenzime më të vogla mujore.
8. Kërkimi për një shtëpi mund të marrë më tepër kohë seç ke parashikuar
Këshilla më e mirë që mund të marrësh para se të blesh një shtëpi është sa e thjeshte dhe po aq e rëndësishme: mos u nxito. Blerja e një shtëpie kërkon marrjen parasysh të shumë faktorëve, prandaj është e udhës që të marrësh gjithë kohën që të nevojitet para se të vendosësh. Kërkimi për një shtëpi mund të marrë shumë më tepër kohë seç kishe parashkuar, por një vendim i marrë me qetësi justifikon jo vetëm kohën që ke shpenzuar për të gjetur shtëpinë e ëndrrave të tua, por gjithashtu shmang dhimbjet e kokës në të ardhmen. 9. Mos u ekzalto nga ulja e normës së interesit të kredisë
Shumë njerëz blejnë shtëpi të cilat nuk mund t’i përballojnë, me mendimin se do kursejnë mjaftueshëm nga ulja e normës së interesit të kredisë në vitet e fundit për të kompensuar shpenzimet shtesë. Duhet të kesh parasysh se niveli jot i të ardhurave nuk mund të jetë gjithmonë i njëjti. Zakonisht, pjesa më e madhe e kredisë shlyhet në 10 apo 15 vitet e para, prandaj edhe zvogëlimi i normës së interesit për vitet e fundit nuk duhet të ndikojë te gjykimi jot për të gjitha detajet e tjera.
10. Nuk është e thënë që me doemos të blesh shtëpi
S’ka asnjë rregull që thotë se duhet të blesh shtëpi sapo të mbushësh 35 vjeç, apo çfarëdo moshe tjetër. Të blerit e një shtëpie është një ndër vendimet më të rëndësishme dhe gjithashtu përbën një investim të zgjuar, por nuk është për këdo. Duhet të marrësh parasysh shumë faktorë, që nga tregu i pronave të paluajtshme, normat e interesit, kohëzgjatja e kredisë si dhe planet e tua për të ardhmen. Në një moment të dytë mund të kërkosh që të lëvizësh më shpesh, por nga ana tjeter, planet e tua për familjen dhe karierën tënde mund të ndryshojnë. Nëse ende nuk je i sigurt për lagjen në të cilën do blesh shtëpi, merr me qera një shtëpi te e njëjta lagje. Edhe pasi të kesh qëndruar për njëfarë kohë në atë lagje, edhe pasi të kesh parë me kujdes shtëpinë që dëshiron të blesh, prit: tregu i pronave të patundshme ofron mundësi pafund; shumë të rinj po zgjedhin të jetojnë me qera me qëllim kursimin e parave si dhe mundësine e zhvendosjes nga një zonë e caktuar në një tjetër.