Bizneset në krizë, të rinjtë refuzojnë të punojnë: S’mbarojmë shkollën për të punuar kamerier
“Nuk ka punë, kam bërë disa aplikime, por nuk kam marrë asnjë përgjigje, asnjë telefonatë”, tha një i ri.
Ndërsa një tjetër shtoi: “Mungesa e komunikimit nga ana e pronarit është një nga arsyet se përse të rinjtë refuzojnë të punojnë”.
Të tjerë, mendojnë se të rinjtë injorojnë punë të caktuara, pasi i konsiderojnë si të rëndomta.
“Nuk mund të bëj shumë vite shkollë e në fund të punoj kameriere”, tha një e re.
“Mungesa e shkollës së lartë, por edhe refuzimi për disa punë, kanë sjellë këto shifra. Nuk ndodh një gjë e tillë nga të rinjtë jashtë, që i bëjnë të gjitha punët”, shtoi një tjetër vajzë.
Ndërsa prindërit shpjegojnë arsyet se përse sipas tyre të rinjtë preferojnë të punojnë gjithnjë e më pak
“S’ka punë, ka vende vetëm për kamerierë, ose për shembull pastrim peshku. Të rinjtë refuzojnë sepse kanë frikë se tallen nga shokët”, tha një prind.
“Ne kemi pasur të tjera kushte. Në rininë time na e zgjidhte shteti vendin e punës, ndërsa sot të rinjtë janë të lirë”, përfundoi një prind tjetër.
Emigracioni mendohej se do të lironte më shumë vene të reja pune për të rinjtë e mbetur në Shqipëri, por referuar shifrave, vendet e lira të punës ofrohen në industritë tekstile, në rrjetet hoteliere ose punëtorë krahu në sektorin e ndërtimit, të cilat nuk preferohen nga të rinjtë për shkak të lodhjes, por edhe pagave të ulëta. Shqipëria ka shfaqur problematikë të vazhdueshme në punësimin e të rinjve dhe gjithashtu renditet në vendet e para në Europë për përqindjen e lartë te të rinjve që nuk janë as në punë dhe as në ndonjë trajnim. Sipas ekspertëve e ardhmja do të jetë gjithnjë e më e vështirë, pasi mungojnë modelet që do të jenë të profilizuar për qasje pune në tregjet ndërkombëtare.
LEXO TE NGJASHME