“Mjedisi global dhe ai i brendshëm mbeten sfidues”, Guvernatori Sejko: Inflacioni do të ulet gradualisht në vitin 2023!

498 4917 22870

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh se inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rritje të lehtë në muajin tetor dhe një reduktim të moderuar në muajin nëntor.

Gjithashtu Sejko tha se inflacioni do të ulet gradualisht përgjatë vitit 2023, ndërsa pritet që të shkojë në objektiv në vitin pasardhës.

Banka e Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin e 2.75%.

Fjala e plotë:

Sot, në datën 21 dhjetor 2022, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare për tremujorin e katërt.

Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se efekti i goditjes së huaj vijon të jetë prezent në ekonominë shqiptare. Megjithatë, trajektorja e inflacionit duket se ka shënuar një kthesë drejt reduktimit në tremujorin e katërt, ndërsa aktiviteti ekonomik vijon të jetë nën presionin e çmimeve të rritura dhe të pasigurisë së shtuar.

Përditësimi i parashikimeve për të ardhmen sugjeron se inflacioni do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024. Po ashtu, ekonomia shqiptare pritet të rritet në të ardhmen, ndonëse ritmi i rritjes pritet të vijë në ngadalësim në afatin e shkurtër dhe të rritet drejt potencialit në afatin e mesëm.

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se normalizimi i deritanishëm i qëndrimit të politikës monetare ka kontribuuar në zbutjen e presioneve inflacioniste, nëpërmjet kontrollit të pritjeve për inflacionin, reduktimit të pasigurisë dhe ruajtjes së stabilitetit në tregjet financiare, si dhe garantimit të qëndrueshmërisë së monedhës tonë kombëtare.

Mbështetur në këto konsiderata, në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mos ndryshojë qëndrimin e politikës monetare. Ky vendim faktorizon reduktimin e inflacionit brenda dhe jashtë vendit në muajin nëntor, si dhe na mundëson një rivlerësim të shpejtësisë së normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, në funksion të respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe të ruajtjes së ritmeve pozitive të rritjes ekonomike.

Në vijim, do të sqaroj më në detaje vendimin e sotëm dhe arsyet që e motivuan.

Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rritje të lehtë në muajin tetor dhe një reduktim të moderuar në muajin nëntor. Normat respektive të inflacionit në këto dy muaj ishin 8.3% dhe 7.9%.

Në këndvështrimin e shportës së konsumit, ecuria e inflacionit në këto dy muaj u përcaktua nga rënia e çmimit të naftës dhe të kostove të transportit, si dhe nga luhatje në kahe të kundërta të çmimeve të artikujve ushqimorë. Inflacioni i artikujve të tjerë të shportës shfaqi luhatje më të pakta. Gjithsesi, me përjashtim të çmimit të energjisë elektrike, norma e inflacionit të thuajse të gjithë artikujve të shportës mbetet në nivele të larta historike dhe shfaq shenja të qarta ndikimi nga goditja e huaj.

Në këndvështrimin makroekonomik, ecuria e inflacionit u përcaktua nga reduktimi i efektit direkt të inflacionit të importuar. Ky fenomen ishte i pranishëm dhe në ecurinë e inflacionit të partnerëve tanë kryesorë tregtarë. Megjithatë, përtej efektit direkt, niveli i lartë i inflacionit vazhdon të ushqehet nga transmetimi i tyre në koston e mallrave dhe shërbimeve, si dhe nga kërkesa relativisht e qëndrueshme për mallra e shërbime në vend, e cila siguron një shkallë të lartë të shfrytëzimit të kapaciteteve, veçanërisht në tregu e punës.

Analiza e informacionit të disponuar sugjeron se aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet në gjysmën e dytë të vitit. Megjithatë, në ngjashmëri me tremujorin e dytë, ritmi i rritjes ekonomike ka shfaqur shenja ngadalësimi, si pasojë e pasigurive për të ardhmen, e rritjes së kostove të prodhimit dhe e reduktimit të kërkesës së huaj. Këto pasoja janë shfaqur në formën e shtrenjtimit të faturës së importeve, si dhe të një ecurie më të ngadaltë të investimeve private e publike.

Përkundrejt tyre, tregu i punës në tremujorin e tretë shfaqi një ecuri mjaft pozitive. Punësimi në ekonomi u rrit me 4.2% në terma vjetorë, norma e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.6%, ndërkohë që paga mesatare në sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 12.4%. Kjo ecuri dëshmon se kërkesa agregate në vend mbetet solide, e mjaftueshme për të gjeneruar rritje punësimi dhe pagash. Ajo ilustron, po ashtu, faktin se bazat e rritjes ekonomike të vendit janë relativisht të shëndetshme.

Tregjet financiare vazhdojnë të jenë të qeta. Kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka pasur tendenca forcimi, ndërsa transmetimi i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, si në vend ashtu edhe në Eurozonë, po shfaqet gjithnjë e më i plotë. Megjithatë, edhe pse normat e interesit të produkteve kryesore financiare, – depozitave, kredive dhe letrave me vlerë të qeverisë – kanë ardhur në rritje, ato vijojnë të mbeten akomoduese për rritjen. Në përgjigje të tyre, kredia vjetore vijon të shfaqë flukse mujore pozitive, ndonëse ritmi i rritjes ishte në ngadalësim gjatë muajit tetor. Në të njëjtën kohë, cilësia e portofolit të kredisë është e kënaqshme dhe shfaq tendenca përmirësimi.

Projeksionet tona të skenarit bazë, sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe presionet inflacioniste do të vijnë në reduktim gjatë dy viteve të ardhshme.

Inflacioni pritet të shënojë një pikë kthese gjatë tremujorit të katërt të vitit 2022, të reduktohet progresivisht gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e dytë të vitit 2024. Ky parashikim bazohet në reduktimin e pritur të inflacionit në ambientin botëror, në reduktimin progresiv të efekteve të raundit të dytë në vend, si dhe në ruajtjen e normave pozitive të rritjes ekonomike gjatë periudhës në vijim.

Rritja ekonomike pritet të mbetet e moderuar edhe në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm dhe të konvergojë gradualisht drejt normave të saj historike në periudhën në vijim, duke ofruar një raport më të balancuar midis kërkesës dhe ofertës në vend.

Përditësimi i projeksioneve për të ardhmen ka konfirmuar pritjet tona të mëparshme. Megjithatë, ky përditësim ka sugjeruar nevojën e një normalizimi më gradual të qëndrimit të politikës monetare.

***

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%.

Këshilli Mbikëqyrës rikonfirmon gjykimin e tij se presionet e larta inflacioniste mbeten rreziku kryesor mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Gjithashtu, ai thekson se, bazuar në informacionin aktual, normalizimi i mëtejshëm i qëndrimit të politikës monetare mbetet një masë e nevojshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve. Ky normalizim bëhet edhe më i nevojshëm, në prani të një balance rreziku për inflacionin, e cila qëndron ende në kahun e sipërm.

Në linjë me komunikimet e mëparshme, Këshilli Mbikëqyrës thekson se shpejtësia dhe intensiteti i këtij normalizimi ka qenë dhe do të mbetet një proces i udhëhequr nga të dhënat e reja. Qëndrimi i politikës monetare do të synojë të sigurojë kushtet e nevojshme për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, duke u kujdesur në të njëjtën kohë të minimizojë ndikimin e tyre në frenimin e aktivitetit ekonomik.

Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes situatën për të vlerësuar në vazhdimësi ecurinë e presioneve inflacioniste dhe për të identifikuar në kohë masat e nevojshme për arritjen e objektivit.

*****

Të nderuar përfaqësues të medias,

Duke përfituar nga ky komunikim publik, i cili është dhe i fundit për vitin 2022, dëshiroj që – në respekt të traditës – të bëj dhe një pasqyrë të shkurtër të punës së Bankës së Shqipërisë gjatë vitit që lamë pas.

Sikundër është bërë tashmë prezente, ky ishte një tjetër vit sfidues për ekonominë shqiptare, në nivel makro dhe mikroekonomik, për stabilitetin monetar e financiar, si dhe për vendimmarrësit e sektorit publik dhe privat. Si autoriteti monetar i vendit, si një institucion kyç në ruajtjen e stabilitetit financiar, në zhvillimin e tregut financiar dhe në përmirësimin e sistemit të pagesave, si dhe si një institucion kushtetues i ngarkuar me një sërë funksionesh të cilat promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror të vendit, Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në përballimin e këtyre sfidave.

Në vijim, do të rendis disa prej drejtimeve kryesore të punës sonë.

Së pari, ne kemi iniciuar një cikël normalizimi të qëndrimit të politikës monetare gjatë vitit 2022, duke e rritur normën bazë të interesit nga minimumi historik prej 0.5% në fillim të vitit, në nivelin 2.75% në fund të tij. Ky aksion i politikës sonë monetare ishte i ngjashëm me atë të të gjithë bankave të tjera qendrore, anembanë globit. Ai u motivua nga goditja e fortë dhe e paprecedentë e çmimeve në tregun e huaj, goditje e cila buroi nga agresioni i papritur ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës dhe e cila kërcënoi stabilitetin e çmimeve kudo në botë.

Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ishte një proces i nevojshëm dhe i kujdesshëm. Ky normalizimi ishte një proces i nevojshëm sepse ai krijon premisat e domosdoshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit, çka është e mbetet jo vetëm mandati ynë ligjor por edhe kontributi më i mirë që ne mund të japim për rritjen ekonomike dhe për mirëqenien shoqërore në afatin e mesëm dhe të gjatë. Historia e ekonomisë na mëson se periudhat me inflacion të lartë shoqërohen me rritje të ulët e të luhatshme ekonomike, me më pak vende pune të krijuara dhe me paga e të ardhura më të ulëta për një pjesë të madhe të shoqërisë. Në të njëjtën kohë, ky normalizim ka qenë një proces i kujdesshëm, i udhëhequr gjithnjë nga analiza e kujdesshme e informacionit të ri, duke synuar që masat e nevojshme monetare për kontrollin e inflacionit të kenë një kosto sa më të ulët mbi aktivitetin ekonomik. Kjo filozofi do të udhëheqë vendimmarrjen tonë të politikës monetare edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Së dyti, ne kemi kontribuuar në ofrimin e një sistemi financiar të shëndoshë dhe efikas, nëpërmjet forcimit të kuadrit ligjor e rregullator, nëpërmjet mbikëqyrjes së kujdesshme të veprimtarisë bankare dhe bashkëpunimit intensiv me autoritetet homologe, si dhe nëpërmjet luftës ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Paralelisht me to, gjatë vitit 2022, ne përditësuam ciklin vjetor të planeve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe administruam me kujdes Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, fond i cili ka ardhur në rritje të vazhdueshme dhe ofron një garanci shtesë për përballimin e goditjeve financiare.

Paralelisht me punën tonë, konstatoj me kënaqësi se bankat shqiptare gëzojnë rezerva të mira kapitali, likuiditeti dhe norma të ulëta të kredive me probleme; këto të fundit zbritën në 5% në muajin tetor, niveli më i ulët historik. Po ashtu, testet tona të rezistencës tregojnë se sistemi bankar është, në tërësi, rezistent ndaj goditjeve edhe më ekstreme, dhe i aftë të mbështesë ekonominë.

Së treti, ne kemi ofruar sisteme moderne eficiente për kryerjen e pagesave dhe kemi plotësuar kërkesat e ekonomisë për para fizike, duke forcuar besimin në sistemin tonë monetar e financiar. Falë një pune disa-vjeçare, përfshirja financiare e popullsisë dhe përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave ka ardhur në rritje, sikurse dëshmohet nga numri më i lartë i shqiptarëve me llogari bankare dhe i pagesave elektronike. Ndërkohë, operacionalizimi i sistemit të shlyerjes së pagesave në Euro brenda vendit ka reduktuar ndjeshëm kostot dhe i ka kursyer shqiptarëve rreth 10 milionë euro.

Gjithashtu, gjatë vitit 2022, ne plotësuam serinë e kartëmonedhave të reja me dy prerjet e fundit, respektivisht me ato 500 dhe 2000 Lekë.

Së katërti, ne kemi vijuar punën për administrimin e rezervës valutore të Shqipërisë, duke respektuar kriteret më të mira në fushën e likuiditetit dhe të sigurisë. Në aspektin operacional, dëshiroj të përmend gjithashtu masat që kemi marrë për një pjesëmarrje më të gjerë të individëve në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë, duke reduktuar luhatjet në tregjet financiare dhe duke mundësuar një përcjellje më të mirë të politikës monetare në tregje.

Së pesti, ne kemi kontribuuar aktivisht në procesin e integrimit evropian, si dhe kemi forcuar dialogun me partnerët vendas dhe të huaj. Hapja e negociatave në korrik 2022 shënoi jo vetëm një hap të rëndësishëm në progresin e vendit drejt rrugës së anëtarësimit, por kërkoi një angazhim më intensiv në këtë drejtim, angazhim të cilit Banka e Shqipërisë iu përgjigj në kohë dhe me cilësi. Sipas Raport-Progresit të fundit të Komisionit Evropian, Banka e Shqipërisë vlerësohet si një institucion i pavarur financiarisht, me instrumente, kompetencë dhe kapacitete të mjaftueshme administrative për të hartuar e zbatuar një politikë monetare efikase. Edhe në të ardhmen, ne do të vazhdojmë të kontribuojmë me përgjegjshmëri në procesin e integrimit të vendit, si një aspiratë e kahershme e jona. Po ashtu, gjatë vitit ne kemi bashkëpunuar me Bankën Botërore dhe partnerë të tjerë institucionalë për ngritjen e dy strategjive të rëndësishme në nivel kombëtar: Strategjinë për Ndryshimet Klimatike në Sistemin Bankar dhe atë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare.

Së fundi, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë ka punuar dhe shënuar progres në të gjithë sferat e tjera të aktivitetit të saj: statistikat financiare, komunikimin me publikun dhe aktorët ekonomikë e shoqërorë, edukimin financiar, kërkimin shkencor, etj..

Përmbushja e objektivave dhe rezultatet e punë sonë janë orientuar dhe mbështetur nga një vendimmarrje e kujdesshme, koherente dhe profesionale nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Kjo vendimmarrje ka jetësuar misionin, vizionin dhe vlerat e Bankës, sikurse shpalosen në Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë.

Në veprimtarinë e tij, Këshilli është informuar rregullisht nga hallkat e kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm për sigurimin e respektimit korrekt të ligjit dhe të akteve të tjera që rregullojnë veprimtarinë e përditshme të institucionit.

Në përfundim, më lejoni t’ju siguroj se Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet një institucion i investuar në përmirësimin e gjithanshëm të punës dhe në përvetësimin e standardeve më të mira të bankingut qendror. Mjedisi global dhe ai i brendshëm mbeten sfidues, por ne do të jemi vigjilentë ndaj zhvillimeve të reja për të garantuar përmbushjen e detyrave tona ligjore, në interes të mirëqenies së shtetasve shqiptarë.

 

LEXO TE NGJASHME

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.