“I vetmi vend i sigurt në botë është dituria dhe arti”

Verë në Epidamn, festivali i “Muzave të artit” ka nisur edicionin e parë në amfiteatrin e qytetit të Durrësit. Shfaqja “Doktor Shuster” me regji të Qëndrim Rijanit çeli siparin e tij, duke përcjellë emocione te publiku.
Ndërsa, “Moxart Coctail” iu dedikua muzikës live me një trio instrumentale në flaut, në violonçel edhe interpretimin e sopranove, të cilat kishin zgjedhur arie nga pjesët e Moxartit, për t’ia kushtuar kompozitorit në 260-vjetorin e lindjes së tij. Regjisorja Driada Dervishi na rrëfen arsyet se përse në këtë festival janë përfshirë disa gjini të artit. Sipas saj, vetëm arti mund ta shpëtojë shoqërinë njerëzore nga dhuna.
Driada, sapo keni çelur Verë në Epidamn, festivalin e “Muzave të artit”. Një festival në të cilin keni ndërthurur disa gjini arti, por edhe një shfaqje tuajën, “Binjakët” e Plautit...
Dëshira për t’i prezantuar publikut disa gjini të artit, si muzikë, teatër, fotografi etj., në këtë festival në amfiteatrin e Durrësit do të vijojë në datë 11 gusht me komedinë “Një jetë me ty”, regjia e Erion Kames. Më pas do të prezantohet premiera “Binjakët” e Plautit e Teatrit “Aleksandër Moisu”. Kjo pjesë është e rëndësishme jo vetëm, sepse festivali ka marrë emrin prej saj, për shkak se Plauti i përshkruan epidamësit, si njerëz të haresë, qejfit dhe shijes të verës së mirë. Një mbrëmje do t’i kushtohet filmit, me regjisorë dhe skenaristë shqiptarë, të cilët sjellin pesë filma.
Te komedia “Binjakët” e Plautit çfarë elementesh bashkëkohore do të ketë?
Mendoj se e gjithë pjesa është mbështetur në frazën popullore të krijimtarisë e tij. Plauti mbështetej në pjesët greke, por duke i bërë më të prekshme në periudhën romake. Jam përpjekur të ruaj një lloj ritmi, energjie dhe muzikaliteti, jo vetëm të frazave, por edhe të lëvizjeve dhe mënyrës, se si aktorët i ndërtojnë karakteret e tyre njëri pas tjetrit. Gjithashtu e trajtuar e tëra, si karikatura ku nuk do të mungojnë maskat dhe vizatimet komike, që janë pjesë e kostumeve dhe skenografisë, të cilat i ka realizuar Desantila Lika, për të prezantuar idenë e një komedie, që i ka hije periudhës së pushimeve.
Kapërcimi nga “Sonte do të luajmë pa tekst” i Luigi Pirandello-s te Plauti, çfarë i shton karrierës suaj artistike?
Mendoj se Luigi Pirandello është gjeniu i madh i teatrit italian, i cili mbahet si një nga baballarët e teatrit modern. Por është e çuditshme, sepse Plaut në fakt është babai i parë i të gjithë teatrit italian, nga i cili kanë pasur ndikime; Shekspiri, Molieri etj. Duke dashur që t’i sjellim publikut komikun e parë të teatrit italian, Plautin, duam që t’i prezantojmë publikut figurat që i kanë dhënë kaq shumë teatrit. Kjo në një farë mënyre kthehet dhe në një lloj misioni, duke i bërë ata të njohur për publikun. Jemi përpjekur që të japim një lloj hapësire, jo vetëm brenda teatrit, por edhe jashtë, për ta kthyer teatrin atje ku ka pasur fillesat. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Durrës na kanë ndihmuar me ambientet e amfiteatrit dhe me banjat termale, të cilat këtë vit vihen në funksion për herë të parë për performancën e regjisores Adelina Muça me muzat në Epidamn, ku ndërthuret fjala, baleti dhe muzika.
Edhe së fundmi, a keni një mesazh që kërkoni t’ja përcjellë publikut?
Ne jemi ankuar përherë se Shqipëria kalon problematika, por po ndeshemi me një botë të pasigurt, të trazuar. Prandaj, në një botë që është bërë shumë e dhunshme, ajo që unë edhe të gjithë miqtë e mi duam të transmetojmë nëpërmjet këtij festivali është se: “I vetmi vend i sigurt në botë është dituria, arti. Të vetmit djaj apo shejtane janë padituria dhe injoranca”.
* * *
Kalendari
- Komedia “Një jetë me ty” regji Erion Kame (11 gusht)
- Premiera e komdeisë “Binjakët” e Plautit, (12-13-14 gusht)
-Performanca e “Muzat e Epidamnit” me regji nga Adelina Muça 16 gusht, te banjat termale nën teatrin “A. Moisiu”.
- “Epidamn Film”, si “Ana” me regji të Ajola Daja, “Mëngë Këmishe” me regji të Suela Bakos, “Buka” me regji të Blerta Kelmendi. Dy dokumentarët “Humanisti i heshtur” (premiere) me regji të Merita Çoçolit dhe “Dinastia Tedeschini” me regji të Anila Varfit, më 18 gusht.
-Ekspozita “Edhe unë jam një vepër arti” e Soela Zanit.



















