Trupi ynë nuk mund ta prodhojë dot vetë omega 3-shin, kështu që duhet ta marrë nga ushqimet. Vaji i peshkut është më i pasuri me omega 3. Ka prova se mungesa e këtij acidi lidhet me sjelljet problematike te të rinjtë. Nivelet e ulta të omega 3 ulin kimikatet e trurit në periudhën kryesore të zhvillimit të tij dhe çojnë në agresivitet.
Marrja e suplementeve të vajit të peshkut ndihmon në trajtimin e sjelljes antisociale dhe problemeve psikiatrike.
Studimi i Universitetit të Oksfordit vëzhgoi 196 adoleshentë. Dieta e tyre përbëhej kryesisht nga patatinat dhe shumë pak fruta e perime. Vaji i peshkut thuajse nuk figuronte fare. Gjatë periudhës së studimit, këtyre adoleshentëve iu dha vaj peshku dhe u pa një përmirësim i sjelljes së tyre.
“Fëmijët dhe të rinjtë duhet ta marrin nga peshku omega 3-shin, por duke qenë se ka shumë që nuk e preferojnë, zgjidhja më e mirë është vaji i peshkut”, thotë eksperti britanik Jonathan Tammam.