Koronavirusi i ri reziston në ajër për orë dhe në sipërfaqe për ditë të tëra

Reuters
Koronavirusi i ri thellësisht ngjitës, që ka shpërthyer në një pandemi globale, mund të mbetet i qëndrueshëm dhe infektues në piklat në ajër për orë të tëra dhe në sipërfaqe për ditë, sipas një studimi që duhet të ofrojë udhëzime për të ndihmuar njerëzit të shmangin marrjen e sëmundjes së frymëmarrjes, të quajtur Covid-19.
Shkecëtarët nga Instituti Kombëtar i Alergjive dhe Sëmundjeve infektive, NIAID, pjesë e Institutit Kombëtar të Shëndetit në SHBA, u përpoqën që të imitojnë virusin e depozituar nga një person i infektuar përmes kollës ose prekjes së objekteve mbi sipërfaqet e përditshme në një mjedis shtëpiak ose spitalor.
Ata përdorën një pajisje për të shpërndarë një aerosol që dyfishonte piklat mikroskopike të krijuara nga kolla ose teshtima.
Shkencëtarët më pas hulumtuan se përsa kohë virusi mbeti infektues në këto sipërfaqe, sipas studimit të publikuar në internet nga ‘New England Journal of Medicine’ të martën- ditën kur rastet me Covid-19 në SHBA i kaluan 5200, kurse vdekjet i afroheshin 100.
Testimet treguan se kur virusi perhapet nga dikush që kollitet ose teshtin, ai mbetet në ajër në gjendje për të infektuar akoma njerëz për të paktën 3 orë.
Në plastikë dhe në çelik inoks, virusi mund të qëndrojë edhe për tre ditë. Në karton, virusi nuk rezistoi më shumë se 24 orë. Në bakër u desh katër orë që virusi të bëhej inaktiv.
Sa i përket gjysmë-jetës, studiuesit zbuluan se virusit i duhen 66 minuta që gjysma e grimcave të tij të humbasin funksionin nëse janë në piklat e aerosolit.
Kjo do të thotë se i duhen edhe akoma një orë dhe gjashtë minuta që të deaktivizohen tre të katërtat e virusit, por 25 përqind do jetë sërish infektues.
Sasia e virusit të qëndrueshëm në fund të orës së tretë ulet në 12.5 përqind, sipas hulumtimit të udhëhequr nga Neeltje van Doremalen.
Në çelik inoks duhen 5 orë e 38 minuta, që gjysma e grimcave të virusit të bëhet inaktive. Në plastikë, gjysma e jetës është 6 orë e 49 minuta, zbuluan studiuesit.
Në karton, gjysma e jetës ishte rreth tre orë e gjysmë, por studiuesit thanë se kishte shumë ndryshueshmëri në këto rezultate, kështu që këshillohet kujdes në interpretimin e numrave.
Koha më e shkurtër e mbijetesës ishte e bakri, ku gjysma e virusit u çaktivizua brenda 46 minutash.
LEXO TE NGJASHME



















