Vera e kuqe si ilaç: Gjithçka duhet të dini mbi të

veraekuqeredwine166

Paracelsus, mjeku i shquar zviceran i shekullit te XVI thotë: “Vera mund të jetë ushqim, ilaç ose helm- është thjesht çështje dozash”. Vera ka një histori të gjatë përdorimi në fushën e mjekësisë dhe shëndetit.

Ajo është përdorur prej shekujsh si një formë e vjetër mjekimi, duke u rekomanduar për një sërë problemesh që nga trajtimi i plagëve e deri tek diarreja dhe lehtësimin e dhimbjeve të paslindjes tek nënat e reja. Megjithatë vera ka luajtur një rol të rëndësishëm në mjekësi deri në shekullin e 20-të. Nga ana tjetër, sot ka shumë diskutime mbi alkoolin dhe mbi pasojat që sjell ai për shëndetin.

Hipokrati

Hipokrati, babai i mjekësisë moderne, e cilësonte verën si një mjekim të mirë kundër diarresë. Ai e rekomandonte verën si pjesë e një diete të shëndetshme dhe për dezifektimin e plagëve. Edhe praktikat e romakëve të lashtë mbi verën ishin pak a shumë të ngjashme, për mjekimin e plagëve, etj.

Feja

Feja gjithashtu ka luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e verës, ku thuhet se kurdoherë që mungonte vera, lind nevoja për ilaçe.” Në disa libra vera rekomandohej për problemet me stomakun dhe tretjen.

Roli i verës

Në ditët e sotme janë kryer shumë studime lidhur me verën. Studimet kanë zbuluar që vera e kuqe e pasur me flavonoide është më e mira për shëndetin. Flavonoidet janë të njohura për cilësite e tyre antioksidante dhe ndihmojnë trupin t’u rezistojë: viruseve apo qelizave kancerogjene. Ato gjithashtu reduktojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Vera e kuqe përmban gjithashtu antioksidantë të tjerë që ndihmojnë trupin t’u rezistojë tumoreve dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Verërat e thata janë më të mirat për të marrë një dozë të mirë me flavonoide. Megjithatë edhe pse vera përmban përbërës shumë të rëndësishëm për një shëndet të mire, nuk duhet ta teproni.

Paracelsus, mjeku i shquar zviceran i shekullit te XVI thotë: “Vera mund të jetë ushqim, ilaç ose helm- është thjesht çështje dozash”. Ashtu si me çdo ushqim apo pije tjetër konsumimi i sasive të mëdha mund të dëmtojë shëndetin.

Shumë prej punonjësve shëndetësorë bien dakord që një gotë verë cilësore në ditë mund të jetë e dobishme për shëndetin.

Eksperti kardiovaskular, Prof. Roger Corder, ka shpenzuar vite për studimin e dobisë së verës së kuqe. Në librin e tij “Dieta e Verës” ai shprehet i bindur që shumë prej nesh duhet të përfshinë verën në stilin e jetës së përditshme. Corder zbuloi atë që ai e quajti “Paradoksi Francez”. Ai çuditej me faktin që francezët kanë shkallë më të ulët të sëmundjeve të zemrës edhe pse dieta ushqimore e tyre ishte shumë e pasur me yndyrna. Ai i përqendroi studimet e tij në pjesën jug-perëndimore të Francës, ku jetëgjatësia ishte më e madhe. Prof. Corder zbuloi që rajoni prodhonte një verë lokale që kishte karakteristikën të ishte më e pasura në gjithë botën me procianidin (antioksidant). Kjo e çoi atë në studimet e mëvoshme për përfitimet mjekësore të verës së kuqe. Megjithëse vera mund të jetë e mire për shëndetin nuk duhet tepruar me përdorimin e saj.

Mos e teproni me verën! Konsumimi i moderuar ul rrezikun e disa formave të kancerit

 Konsumimi i tepërt i alkoolit sjell shumë probleme për shëndetin e sidomos për kockat. Ai është një toksinë që dëmton qelizat. Agjencia Ndërkombëtare për Studime mbi Kancerin e Organizatës Botërore të Shëndetit e ka klasifikuar alkoolin si carcinogen të grupit 1. Disa studime kanë dëshmuar se edhe një konsum i moderuar i alkoolit shton rrezikun për një sërë llojesh të sëmundjeve të kancerit, përfshi atë të gjirit, kolonës, stomakut etj. Nga ana tjetër shumë studime të tjera kanë treguar se konsumimi i moderuar i verës së kuqe ul rrezikun e prekjes nga kanceri i mushkërive, i prostatës, etj. Studimet e fundit nga “Shkolla Yale” kanë treguar se tek vera gjenden disa përbërës mbrojtës kundër disa formave të kancerit. Krahasuar me femrat që nuk konsumonin alkool, ato të cilat kishin pirë verë për të paktën 25 vjet ishin 33% më pak të prirura për t’u prekur nga sëmundjet e sipërpërmendura. Megjithëse alkooli shihet si një nga armiqtë kryesorë të shëndetit dhe në veçanti të prekjes nga kanceri, tek vera është zbuluar një kimikat që quhet resveratrol, që gjendet tek rrushi, e që sjell përfitime kundër kancerit të gjirit.

 Resveratroli mbron trurin

Shkencëtarët nga universiteti John Hopkins pohojnë se kanë zbuluar mënyrën se si resveratroli, i cili gjendet në lëvoren dhe farat e rrushit të zi, mbron dëmtimet e trurit pas sulmeve në tru. Metoda e hulumtimit është bazuar në ushqimin e minjve laboratorit me dozë të caktuar të resveratrolit brenda dy orëve nga nxitja e sulmit në tru te minjtë. Është vërejtur se minjtë të cilët kanë konsumuar resveratrol kanë pësuar dëmtime dukshëm më të pakta të trurit krahas minjve të cilët nuk kanë përdorë resveratrol. Autorët e studimit thonë se resveratroli, i cili gjendet në verën e kuqe, rrit nivelin e enzimës hem-oksigenazë për të cilën është e njohur se mbron qelizat nervore në tru nga dëmtimi. Por, sipas tyre, duhet të bëhen ende hulumtime shtesë për të pohuar efektin mbrojtës të kësaj substance dhe për të caktuar dozën maksimale që mbron trurin edhe te njeriu.

Antioksidantët

Antioksidantët tek vera e kuqe të quajtura polifenole mbrojnë enët e gjakut. Tek vera e kuqe janë zbuluar dy tipe polifenolesh, flavonoidet dhe jo-flavonoidet, të cilat pengojnë yndyrën të bokllokojë arteriet. Kërkimet kanë treguar gjithashtu se resveratroli tek vera e kuqe mund të reduktojë obezitetin dhe problemet me diabetin, sëmundje këto që çojnë në dëmtimin e zemrës. Gjithashtu ka dhe tregues të tjerë se resveratroli pakëson mpiksjet e gjakut. Resveratroli gjendet tek rrushi dhe vera e kuqe përmban më shumë resveratrol se e bardha. Sasia e polifenolëve tek vera varen nga lloji i rrushit që përdoret gjatë procesit të fermentimit. Verërat e bëra nga rrushi i zi si tannat dhe malbec kanë sasinë më të lartë të polifenoleve. Rrushi Tannat rritet në rajonin Madiran të Francës jugore.

Pak histori për verën

Vera është e lidhur historikisht me shumë kultura botërore. Në Persi për shembull vera persiane ka qenë tema kryesore e poezisë persiane për mijra vjet. Testet kimike në poçet e lashta tregojnë se vera prodhohej rreth 7000 vjet përpara në Iranin e sotshëm dhe është një nga herët e para ku procesi i fermentimit përdoret. Evidenca më e hershme mbi verën është e vitit 5400 para lindjes së Krishtit nga Hajji Firuz Tepe ne Malet Zagros që gjenden ne Iranin e sotshëm, afër qytetit të Urmias. Ky zbulim është veçanërisht i rëndësishëm për arsyen se ajo zonë nuk mbillte rrush, dhe prodhimi kryesor i tyre ishte gruri ndërsa pija e preferuar e kohës ishte birra, çka tregon se vera përdorej rrallë si komoditet i veçantë. Babilonia e lashte ndodhej ne Rrugën e Mëndafshit nga Kina drejt Mesdheut. Vera si enteogjen luante rol të rëndësishëm në jetën ceremoniale të Egjiptit të lashtë. Edhe pse rrushi i egër nuk rritej kurrë atje, një industri e madhe verë-prodhuese ishte zhvilluar në deltën e Nilit. Skena verë-prodhuese shfaqen në mure varresh dhe lista që shoqëron pikturat me shumë mundësi jep emrat e verës që prodhohej në vreshtat e Nilit. Rritja e rrushit dhe bërja e verës u shpërhap në Evropë gjatë periudhave Greke dhe Romake.

Këshilla për përdorimin e verës

-Një gotë verë në ditë është e shëndetshme

– Vera nuk u këshillohet grave shtatzëna apo atyre që kanë fëmijë në gji

– Vera nuk u bën mirë fëmijëve në moshë të vogël

– Personat me sëmundje të ndryshme të avancuara duhet të konsultohen me mjekun për përdorimin e verës

-Vera është e këshillueshme për personat që vuajnë nga anoreksia

-Ndalimi i verës është kategorik në patologjitë që lidhen me mëlçinë

Rastet kur përdorimi i verës ndalohet

Në disa raste është i ndaluar konsumimi i verës. Nëse “shijuesi” i verës, në kufijtë e lejuar të përdorimit të saj, mund të ndiejë kënaqësi nga vera pa pasur rrezik të dëmtojë shëndetin e tij kjo lejohet, por në rastin kur disa persona të sëmurë dhe me gjendje të caktuara fiziologjike si: obeziteti, shtatzënia apo plakja e parakohshme; vera nuk këshillohet të konsumohet. Abuzimi i vazhdueshëm me alkoolin lidhet me patologjitë që shfaqen në aparatin e sipërm të tretjes dhe për këtë duhet që këtyre personave me këto patologji t’iu thuhet shprehimisht se përdorimi i pijeve alkoolike është klinikisht i ndaluar. Duke ndjekur këshillat e duhura mbi konsumimin e verës ashtu si duhet, rritet niveli i të ushqyerit të njeriut dhe përjashtimet janë në disa raste patologjish, si shtatzënia apo faza e të ushqyerit me gji, ose gjendje të avancuara të sëmundjeve të ndryshme.

Kur është e këshillueshme vera

Një gotë vera në ditë mund të jetë e dobishme në rastet e gastriteve, iposekretive ose te personat që vuajnë nga anoreksia, sepse kjo pije provokon një ipoglicemi të lehtë dhe nxit oreksin. Përdorim i keq i verës konsiderohet rasti kur kjo pije u jepet fëmijëve ende të papjekur dhe këtu përfshihet edhe përdorimi i birrës apo aperitivëve nga fëmijët. Më pak drastik është këshillimi i përdorimit të verës te të moshuarit sepse nga një anë përdorimi i verës është bërë për ta një rit dhe nga ana tjetër favorizon oreksin, por kujdes në teprime sepse sjell plakje të parakohshme, por përdorimi në doza modeste nuk përbën aspak problem. Këtu duhet të ndiqen këshillat e mjekut kurues, që vendos rast pas rasti për dobinë ose jo të konsumit të disa gotave verë. Por shkenca ka provuar se vera është komponent i rëndësishëm i një diete të shëndetshme.

Sasia e duhur për konsumimin e verës

Sasia e verës që duhet të konsumohet varet nga mosha dhe kushtet e personave të veçantë, sidomos grave dhe të moshuarve, prandaj është e këshillueshme të ndiqen udhëzimet që ofron shkenca e dietologjisë. Për këtë nuk duhet t’i referohemi kapacitetit teorik të metabolizimit të alkoolit të lejueshëm, rreth 1g në ditë për çdo kg peshë, që do të korrespondonte për një verë normale në gradacionin alkoolik në rreth 750 ml pije për burrat në kushte të mira shëndeti dhe dihet për gratë sasi më e paktë. Shumë shkencëtarë bien dakord për një konsumim të rregullt dhe të paabuzueshëm të etanolit në ditë që shkon rreth 0,60 -0,75 g/kg peshë trupore. Për të rriturit në gjendje të mirë shëndetësore konsumi i përditshëm i pranueshëm mund të jetë deri në tri gota verë për burrat dhe jo më shumë se dy gota për gratë.

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.