Ksamili -Ishujt,plazhet dhe zhytja ne ujerat e kthjellta

Rrallë ndodh që magjisë së natyrës t’i shtohej dhe magjia e dorës së njeriut si në Ksamil. Por nga brezaret gjigante me agrume të dikurshme pak gjurmë kanë mbetur.
Tashmë magjisë së natyrës me gjire e me ishuj të vegjël i kanoset rreziku i shkatërrimit nga ndërtimet. Megjithatë ende mbetet një pikë turistike e cila duhet vizituar me çdo kusht.
18 km në jug tw Sarandës, Ishujt e Ksamilit përbëjnë pjesën më aktraktive të kësaj zone bregdetare.
Në një lartësi nga 7.5 deri në 15 metra mbi nivelin e detit këta ishuj të vegjël shkëmborë janë vendosur pranë njeri-tjetrit të mbuluar me një vegjetacion tipik mesdhetar mjaft të zhvilluar.
Ksamili është i përshtatshëm për turizmin familjar kur gjatë stinës së verës qindra turistë marrin me qira dhoma dhe apartamente për pushimet e tyre.
Para se ta zgjidhnim Ksamilin si një destinacion të verës, duke qenë se ajo sapo ka ardhur në prag, u menduam shumë për të kuptuar nëse vazhdon të jetë tërheqëse apo e rekomandueshme kjo zonë, për shkak të ndërtesave të shumta e të rrëmujshme, që e kanë prishur disi peisazhin e mrekullueshëm të fshatit me ishuj, ku mijëra pushues vijnë verës për të shijuar gjiret e vegjël, plot bukuri e ngjyra marramendëse. Dhe akoma jemi në dilemë nëse duhet t’jua rekomandojmë.
Por Ksamili është i vetmi destinacion bregdetar që ju ofron mundësinë t’i hipni një varke (me 200 lekë), dhe të shkoni e të drekoni në ishullin përballë, ose të zgjidhni një nga ishujt që preferoni për të bërë një shëtitje e për të shijuar erën e thellë të jodit, ndërkohë që ndërtesat e pabukura i keni lënë pas shpine tashmë, tej në fshat.
Ksamili është nga të paktat fshatra bregdetarë, ku mund të shkosh edhe me not nga njëri ishull në tjetrin, për të provuar rezistencën e muskujve prej notari që ke, apo për të marrë guximin të bëhesh një i tillë.
Është e vështirë në fakt ta shkëpusësh Ksamilin nga plazhet e tjera të Sarandës, bregut më jugor të Shqipërisë, e, po të mos ishte për ishujt e tij, ai do të ishte as më pak e as më shumë por i bukur sa plazhi i Pasqyrave, i Pllakave, Gjiri i Bukenvileve, Buneci, Borshi, Lukova, Krorëzi, Kakomeja (që duhet ta harrojmë për ca vjet, ose ndoshta edhe përgjithmonë, nëse Club Med-i nuk vendos t’i hapë sërish kangjellat e hekurta që ka vendosur rreth e rreth gjirit). Janë pikërisht ishujt e tij që e bëjnë Ksamilin aq të veçantë e të dëshirueshëm.
Por nëse jeni lodhur së tepërmi me pamjet e ndërtesave pa asnjë lloj arkitekture, që rrethojnë tashmë Ksamilin, (ashtu si kurora prej ferrash e gjembash rrethon kokën e bukur të Krishtit) e nuk dëshironi t’i riktheheni më këtij destinacioni, apo ju që nuk keni qenë asnjëherë në Ksamil, nuk josheni aspak nga ajo çka keni parë në foto apo tv, ne e kemi gjithmonë një variant rezervë, që do t’ju bëjë patjetër, në mos të ktheni mendje plotësisht, të paktën të mendoni pak më shumë, nëse keni vendosur t’i thoni “Jo” Ksamilit për këtë verë.
Ka shumë mënyra që mund t’ju mbajnë “të lidhur” rreth Ksamilit, pa qenë nevoja që të rrini gjithë ditën shtrirë në shezllonet e gjireve. Dhe nëse do ta ofronim këtë zonë në dimensione të reja, këto dimensione do të ishin patjetër në formën e tureve të ndryshme, të cilët në mos njëri, tjetri, mund të jenë një mënyrë e re për të pushuar rreth Ksamilit.
Tashmë turizmi ka marrë forma e ngjyra të reja jo thjesht në Ksamil e përreth Sarandës, por pothuaj në të gjithë Shqipërinë. Gjithmonë e më shumë grupe profesionistësh shqiptarë e të huaj (ose edhe të dy palët në bashkëpunim), po krijojnë iniciativa vërtet interesante për të shijuar pushime ndryshe, e për të mos i lënë ato skllave të “dembelizimit” të përhershëm që karakterizon pushimet shqiptare nën binomin shezllon-hotel.
Dhe nën këtë ritëm ndryshimi, është përfshirë edhe Ksamili, si një zonë që ka se ç’të ofrojë për pak gjallëri e përjetim ndryshe të pushimeve. Kjo ka ndodhur qyshse ca djem vendosën të “ngrenë kampin” e tyre në Gjirin e Bukenvileve, duke sjellë me vete biçikleta, pajisje për zhytje, kamera nënujore, varka me vela, kanoe, e natyrisht ngarkuar mbi kurriz edhe një përvojë të gjatë në fushën e aktiviteteve të nënujit dhe mbiujit, me qëllim që t’u mësojnë të tjerëve atë që dinë edhe vetë. E nën ndikimin e përgjithshëm të tendencave për të globalizuar aktivitetin, ata e kanë quajtur kompaninë e tyre në anglisht Water Sport Tourism Albania. Këta djem, me Gregun në krye, i cili vjen nga Polonia, kanë vendosur të jenë të palodhur, për t’ju ofruar juve në mijëra mënyra, bukuritë jo vetëm të Ksamilit, por të të gjithë zonës së Jugut të Shqipërisë…
Me lundra drejt Ksamilit!
Është verë, jemi me pushime… e kush ai që do të marrë makinën e të udhëtojë drejt Ksamilit?! Të gjithë e dimë përgjigjen… Askush! Ky udhëtim është një ndërthurje midis turizmit dhe aktivitetit fizik, dhe është ideuar në mënyrë të tillë që tju lejojë të shijoni gjithçka që bregdeti jugor ka për të ofruar. Përgjatë këtij udhëtimi ju do të kaloni plazhe private eksklusive, gjire të virgjër, grykëderdhje lumenjsh, bunkerët, nëse akoma keni mall t’i shihni si dhe formacione të mrekullueshme shkëmbore. Vetë ky udhëtim është një adrenalinë e paparë, që nuk ju bën thjesht udhëtarë por eksplorues.
Fundjava erdhi dhe ju nuk keni plane?
Përse nuk bashkoheni me ne dhe provoni diçka ndryshe?
Një udhëtim ditor peshkimi mund të fillojë në orët e para të mëngjesit, duke u nisur nga Saranda në drejtim të Ksamilit. Një guidë lokale do t’ju dërgojë në destinacionet më të mira përgjatë bregut të Ksamilit, ku, të jeni të sigurt se do të gjeni të gjitha llojet e peshqve që deti Jon ofron. Nuk ka asgjë më të mirë pas një dite peshkimi se sa të shijosh një drekë të shijshme me shokët e miqtë, me peshqit që ti vetë ke kapur.
Ky është një udhëtim për njerëz që duan ti largohen rutinës së tyre ditore dhe të shijojnë detin në maksimumin e tij. Kohëzgjatja e këtij udhëtimi mund të jetë 3-4 orë. Është mirë që në varkë të keni ujë të freskët dhe ndonjë sandwich, për shkak se peshqit e kapur nuk mund t’ju shërbejnë si ushqim përsa kohë nuk keni ku t’i gatuani.
Nga Saranda në Butrint me biçikletë
Një udhëtim ditor me pikënisje nga Gjiri i Bukenvileve, me destinacion Butrintin, mendojmë se është jo vetëm interesant por dhe shumë i shëndetshëm. Tabelat rrugore, emrat e rrugëve apo numrat e shtëpive mungojnë në Sarandë por itinerari është relativisht i thjeshtë dhe është një rrugë pa degëzime, çka nënkupton që nuk le vende për humbje të drejtimit.
Ky është një udhëtim prej 18 km, i cili nëse dëshironi që të marrë plotësisht ngjyrat e një ekskursioni, është mirë ta lini në dorë të djemve të Water Sport Tourism Albania. Ata do t’ju pajisin natyrisht me biçikleta të marra me qera, me kokore dhe pajisje të tjera të nevojshme për rrugëtimet me biçikleta. Shoqërimi prej tyre, jua bën rrugën më të sigurt duke e pajisur me ndalesa të këndshme, që ata tashmë i kanë stacionet e tyre të përhershme për turet me biçikleta. Psh përgjatë këtyre 18 kilometrave, mund të ndaloni tek “Dyqani i Kashtës”, e të njiheni me “Zonjën e dashur”, siç e quajnë djemtë e WSTA, zonjën që ofron në dyqanin e saj frutat e freskëta të stinës, që janë gjithmonë një ndihmë më shumë në vapën përvëluese.
Pak më tej, mund të bëni një ndalesë tjetër tek “Markata e peshkut”, për të parë se çfarë kanë kapur rrjetat e peshkatarëve një natë më parë. Pjesa që ju mbetet deri në Butrint, është shumë e këndshme. Nuk po ndalemi në pikën ekstreme të mbërritjes, pasi do të kalonim krejtësisht në një botë tjetër, natyrore e historike, tek Butrinti mijëravjeçar, për të cilin do t’ju flasim në reportazh të veçantë në numrat e ardhshëm.

Bota nënujore e Ksamilit…. një mrekulli!
Nëse ndodh të hezitojmë t’ju ofrojmë atë çka shihni mbi ujë, nuk do kishim hezitim për botën nënujore të Ksamilit e të krejt gjirit të Sarandës.
Ne do donim t’ju sillnim deri këtu, për t’ju shoqëruar më pas në botën e nënujit, nëpërmjet djemve të WSTA, të cilët tashmë prej një viti e më shumë, zhvillojnë ekspeditat e tyre nënujore, në kërkim të thesareve të nënujit. Bota e pafundme e nënujit, ruan për ju surpriza të vazhdueshme për shkak se çdo herë zbulohen gjëra të reja, në ndryshim nga kodrat dhe plazhet tashmë të njohura të ishujve.
Përveç bukurive natyrore, koraleve shumëngjyrëshe, peshqve dhe gjallesave të larmishme që do të mbushin udhëtimin tuaj me kënaqësi të vogla, ju do të keni privilegjin të jeni gjithmonë vizitorë të veçantë të muzeve në natyrë, duke kundruar anijet e mbytura, reliket historike dhe objektet e shumta që bota ujore e jugut të Shqipërisë ruan në gjirin e saj.
E mos harroni një fakt të rëndësishëm; për të bërë zhytje nuk është nevoja të dini not! E gjithashtu mund të bëheni zhytës profesionistë nëse doni!
Kështu pra,
nuk duhet të keni ende mëdyshje, por ta vizitoni Ksamilin këtë verë. Në të ardhmen ndoshta do të jetë shumë vonë për të shijuar natyrën.
Info plus
Ksamili vërtet është kthyer në një problematikë turistike përsa i përket mbipopullimit dhe keqpërdorimit të imazhit të tij turistik, por me ndërtimin e infrastrukutrës, shtëtitores së re e madje edhe disa hoteleve të mira, është një destiancion që mund ta shihni me kënaqësi edhe nga ana e akomodimit.
Psh, ne do t’ju rekomandonim disa hotele të vegjël por shumë këndshëm, që përveçse janë përpjekur të dalin jashtë kontureve të rëndomta të ndërtesave të tjera, ju ofrojnë edhe shumë mikpritje, e cila është bërë e famshme për ata që e kanë vizituar më parë Ksamilin. Kështu ju mund të provoni të shijoni shërbimet e Hotel Castle, një strukturë e re dhe shumë e bukur, të Hotel Jonit, shumë i njohur në Ksamil, të hotel Tiranës, në hyrje të fshatit etj. Edhe kuzhina është mjaft e shijshme, e tepërt të komentohet, dominimi i midhjes së Butrintit, e cila është edhe simboli gastronomik i gjithë Sarandës.



















