Flutura moleje ne dollapin e ushqimeve? Ja si t'i zhdukni

Keni gjetur flutura në dollapin e ushqimeve. Janë fluturat e moles, që ushqehen me produktet ushqimore. Keni provuar shumë ilaçe me kimikate, por ato vazhdojnë të dalin. Mos u dorëzoni. Nuk është aq e vështirë. Ja disa këshilla si t’i zhdukni përfundimisht.
Eliminoni në fillim ushqimet e infektuara
Për të pastruar nga dollapët tuaj fluturat e moles, kontrolloni miellin dhe orizin, ku brumbujt e grurit dhe fluturat e moles bëjnë fole, dhe hidhini ato, sidomos nëse janë ushqime të vjetëruara. Shikoni mos keni harruar ndonjë qese gjysmë të hapur me oriz, apo ndonjë ushqim tjetër. Do të jetë foleja perfekte për molet.
Pastërtia e dollapëve
Ekspertët rekomandojnë që gjithçka të hiqet nga dollapët dhe të fshihet mirë me vacuum, të lahet me sapun të lëngshëm, pastrues për dollapë, ose me ujë dhe uthull dhe të fshihet mirë.
Kontrolloni erëzat
Të gjithë shfarosësit e insekteve këshillojnë që të kontrolloni erëzat të parat. Erëzat e vjetëra, sipas tyre, janë vendi ku lulëzojnë fluturat e moles. Madje, rigoni, piperi i kuq, kumin-i, nëse nuk përdoren shpesh mund të jenë vendi i përkryer për të bërë fole.
Kavanoza dhe enë xhami
Për të dekurajuar molet e kuzhinës, mbyllni ushqimet në enë të xhamit apo plastikës. Të gjitha llojet e paketimeve prej letre dhe qeseje, janë të rrezikuara nga molet në dollapë. Ndaj, përdorni kavanozë qelqi për të mbajtur makarona, oriz, apo erëzat tuaja.
Aromat
Mola largohet nga aromat e forta dhe një prej metodave është shpërndarja e lëkurave të thara të portokallit. Efekt bën edhe bima e livandos e tharë, ose vendosja e një adezivi kundër moles, që gjendet i gatshëm. Edhe gjethet e dafinës, apo kanella kanë aroma shumë të forta, që mund të bëjnë punë.



















