Ligji i ri, mbetjet urbane do te riciklohen ne Shqiperi. Firmosin PS-LSI
Maxhoranca pritet të tërhiqet nga projektligji i parë që ka miratuar kur erdhi në pushtet, në vitin 2013. Bëhet fjalë për ligjin e ndalimit të importit të mbetjeve.
Në Parlament është depozituar disa ditë më parë një projektligj i hartuar nga Ministria e Mjedisit, Shoqatat e Ricikluesve dhe Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, që lejon importin e mbetjeve, inerteve, në Shqipëri për qëllime riciklimi.
Duke qenë se ka qenë vendimi i parë i Qeverisë “Rama” dhe ky i fundit ka deklaruar se në Shqipëri nuk do të lejohet më kurrë importi i plehrave, projektligji ka ndjekur një procedurë tjetër për t’u dërguar në Parlament. Në relacionin e projektligjit thuhet se nisma është hartuar nga Ministria e Mjedisit, ndërkohë që amendamenti ligjor është depozituar me firmat e tre deputetëve, dy socialistë dhe një deputet i LSI-së. Konkretisht kanë firmosur Eduard Shalsi, kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, socialisti Ervin Bushati dhe deputeti i LSI-së, Bujar Derveni.
PROJEKTLIGJI
Në amendamentin e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i vitit 2011 dhe i ndryshuar në vitin 2013 nga qeveria “Rama”, thuhet se importi do të lejohet vetëm për mbetjet jo të rrezikshme, mbetjet inerte për qëllime riciklimi.
Amendamenti ligjor i propozuar nuk bën asgjë tjetër, por rikthen në fuqi dy nenet e shfuqizuara në vitin 2013. Në nenin 49 të projektligjit, thuhet se në Shqipëri lejohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme apo mbetjeve inerte. Importi i mbetjeve do të lejohet vetëm me autorizimin e ministrit.
Çdo riciklues që ka investuar në Shqipëri, duhet të depozitojë kërkesën për import pranë Ministrisë së Mjedisit. “Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton rregullat dhe procedurat, për importimin e mbetjeve, për përdorim, përpunim e riciklim, për zbatimin e këtij neni”, thuhet në nenin 49.
ARGUMENTET
Propozuesit e nismës ligjore që pritet të diskutohet në Kuvend, e argumentojnë atë me faktin se ndryshimet e ndërmarra nga Qeveria në vitin 2013 e kanë çuar drejt falimentimit industrinë e ricikluesve.
Industria e ricikluesve ka investuar rreth 120 milionë euro në Shqipëri. “Ndalimi i importit solli si pasojë që industria e riciklimit të punojë me 30 % të kapaciteteve, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik, si dhe shkurtim të fuqisë punëtorë”, thuhet në relacion.
PROJEKTLIGJI I MBETJEVE
Pas nenit 48, shtohet neni 49, me përmbajtje si më poshtë:
1. Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet jo të rrezikshme apo mbetjet inerte, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3, të nenit 48, të këtij ligji.
2. Importimi i mbetjeve, sipas pikës 1 të këtij ligji, është i mundur vetëm me autorizim të ministrit.
3. Kërkesa për autorizimin e importit paraqitet në Ministri.
4. Autorizimi i importit të mbetjeve jo të rrezikshme lëshohet vetëm në përputhje të plotë me këtë ligj dhe akte të tjera në fuqi.
5. Autorizimi për importin e mbetjeve jo të rrezikshme është i vlefshëm për një periudhe kohe deri në dy vjet dhe u nënshtrohet kushteve të përgjithshme, të përcaktuara në rregulloret e miratuara në zbatim të këtij ligji, si dhe çdo kushti specifik që lidhet me rastin konkret.
6. Në autorizimin e importimit të mbetjeve përcaktohen:
a) lloji i mbetjeve për importin e të cilave lëshohet;
b) standardet që lidhen me ambalazhimin dhe etiketimin e mbetjeve dhe dokumentet shoqëruese gjatë transportit të tyre;
c) kërkesat për monitorimin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve.
7. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton listën e mbetjeve që lejohen të importohen dhe rregullat për zbatimin e këtij neni.
8. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton rregullat dhe procedurat, për importimin e mbetjeve për përdorim, përpunim e riciklim, për zbatimin e këtij neni.