Musk: Njerezit ne Mars me 2024

Deri sa NASA e agjencitë tjera të kozmosit po punojnë gati me hapa kërmilli në projektet për dërgimin e njerëzve në Mars, duket se Elon Musku nuk e ka ndërmend të presë deri në vitin 2030 për t’i parë njerëzit e parë në Planetin e Kuq
Dhe, deri sa NASA e agjencitë tjera të kozmosit po punojnë gati me hapa kërmilli në projektet për dërgimin e njerëzve në Mars, e për çka shpesh u krijojnë probleme edhe politikanët dritëshkurtër, duket se Elon Musku nuk e ka ndërmend të presë deri në vitin 2030 për t’i parë njerëzit e parë në Planetin e Kuq.
Të përkujtojmë, pronari i kompanisë SpaceX, i njohur për nga raketat e tij Falcon 9, të cilat janë në gjendje të aterrojnë vertikalisht pas fluturimit, por edhe kapsulat Dragon, të cilat qysh vitin e ardhshëm do t’i çojnë astronautët e parë në Stacionin ndërkombëtar kozmik, para do kohë ka bërë të ditur se në vitin 2018 në Mars synon të dërgojë kapsulën Dragon 2 pa ekuipazh njerëzor dhe nga largësia ta lëshojë me sukses në sipërfaqen e planetit.
Mirëpo, gjatë pjesëmarrjes si mysafir në Code Conference-n e javës së kaluar, e cila mbahet në qytezën kaliforniane Rancho Palos Verdes, Musk ka bërë të ditur se synon të dërgojë njerëz në Mars që më 2024, me arritje në Mars gjatë vitit 2025, që është dukshëm më herët se planet e pa qarta të NASA-s.
Për ta arritur këtë qëllim, Musk e bashkëpunëtorët e tij do të duhet të kapërcejnë një varg pengesash, duke filluar nga testimi i raketës Falcon Heavy, bartësit tri herë më të fuqishëm se atij të raketës së tashme Falcon 9, i cili do të duhej ta lansojë kapsulën Dragon dhe automjetet përcjellëse në drejtim të Marsit, pastaj aterrimin e suksesshëm në Mars dhe jetën e ekuipazhit në sipërfaqe, e deri te kthimi i sigurt në Tokë. Do të ishte kjo një kafshatë e madhe edhe për superfuqinë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e lëre më për një komani private, por, duke e njohur Muskun, ekziston mundësia që ai qëllimin e tij megjithatë ta realizojë në vepër, dhe atë me sukses të plotë.
Aq më shumë, Musk qysh në vitin 2013 ka bërë të ditur se synon të ndërtojë të ashtequajturen Mars Colonial Transporter, i cili do të kishte mundësi të transportojë madje 100 njerëz në Mars, me qëllimin përfundimtar krijimin e kolonisë së madhe marsiane. Sidoqoftë, Eloni ndërmarrës ka premtuar se mbi detajet e programit të tij kozmik do të flasë së shpejti, qysh në shtator të këtij viti.



















