Përse ISIS-i goditi Rusinë? BBC: Një degë e veçantë, “inate” me Putinin!
Pretendimi i një filiali të Shtetit Islamik se qëndron pas sulmit në Moskë, nëse dëshmohet i saktë, do të përbënte vetëm sulmin e fundit në vazhdën e një serie atentatesh të lidhura me militantët islamikë në tokën ruse.
Një avion rus u hodh në erë mbi shkretëtirën Sinai të Egjiptit në vitin 2015 me 224 persona në bord, shumica prej të cilëve shtetas të Rusisë, kujton BBC. Përgjegjësia e sulmit u mor përsipër nga Shteti Islamik, i cili më vonë publikoi dhe një foto të mjetit shpërthyes. Dy vjet më vonë, shpërthimi i një bombe në metronë e Shën Petersburgut që vrau 15 persona, u lidh gjithashtu me islamikët radikalë. Grupet militante i kanë luftuar prej dekadash të tëra forcat ruse në Kaukazin Verior. Një numër i madh i tyre u dyndën në Siri për t’iu bashkuar Shtetit Islamik kur grupi i dhunshëm u krijua 10 vjet më parë.
Disa militantë që veprojnë në këtë rajon të Rusisë kanë deklaruar besnikëri të plotë ndaj ISI-it, thonë ekspertët. Megjithatë, BBC nënvizon se grupi specifik që pretendon përgjegjësinë për sulmin e së premtes është ISIS-K, një degë e Shtetit Islamik në Khorasan, term i vjetër ky i përdorur për një rajon që përfshin pjesë të Iranit, Turkmenistanit dhe Afganistanit. Ekspertët e kundër-terrorizmit thonë se Rusia e ka gjetur veten “në një kryqëzim” linjash me ISIS-K, që në propagandën e tij, e kritikon shpesh presidentin rus Vladimir Putin.
Ky degëzim e akuzon Kremlinin për mizori kundër popullit mysliman në fushatat ushtarake në Çeçeni dhe Siri, si dhe në pushtimin e Afganistanit të epokës sovjetike.
LEXO TE NGJASHME