'Më popullor se kurrë'/ Trump flet për kandidimin kundër Biden në 2024-ën
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka folur sërish në lidhje me një kandidim të mundshëm përballë Joe Biden në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në vitin 2024.
Trump u tha republikanëve se po vjen koha që ai të bëjë një njoftim zyrtar në lidhje me ofertën e tij të ardhshme për Shtëpinë e Bardhë. Teksa mbante fjalën në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Dallas, këtë fundjavë, Trump konfirmoi se do të bëjë publike planet e tij për të kandiduar.
“Sigurisht që nuk është një periudhë shumë e gjatë, koha po vjen”, tha Trump.
Një sondazh i publikuar gjatë CPAC zbuloi se 69 përqind do votonin për Trump si kandidat i republikanëve. Mike Pence nuk u përmend fare, kurse 24 përqind thanë se do votonin për Ron DeSantis.
Trump argumentoi se kombi po përballej me kriza të politikës së brendshme dhe të jashtme, duke thënë se Amerika humbi ‘prestigjin’ e saj kur Biden tërhoqi trupat amerikane nga Afganistani vitin e kaluar.
Trump gjithashtu pohoi se SHBA-ja është një komb që lejoi Rusinë të shkatërrojë Ukrainën, duke vrarë qindra mijëra njerëz dhe kjo situatë vetëm do të përkeqësohet.
LEXO TE NGJASHME