Papa Françesku shkon në Kanada që të kërkojë falje për 'mëkatin' ndaj indigjenëve
Mijëra persona indigjenë pritet të mblidhen të hënën në komunitetin e vogël të prerive të Albertës në Maskwacis për të dëgjuar një falje të shumëpritur nga Papa Françesku për breza të tërë të abuzuar dhe për shtypjen kulturore në shkollat rezidenciale katolike në të gjithë Kanadanë.
Papa Françesku është planifikuar të mbërrijë paradite në vendin ku dikur ngrihej ish-Shkolla Rezidenciale Indiane Ermineskin, tashmë e shkatërruar pothuajse.
Ai do të shkojë në ambientet e ish-shkollës dhe të varrezave aty pranë përpara se të flasë në një zonë të madhe të hapur me të mbijetuarit e shkollës, të afërmit e tyre dhe mbështetësit e tjerë.
Papa Françesku mbërriti në Edmonton të dielën, ku u përshëndet nga përfaqësuesit e tre grupeve kryesore indigjene të Kanadasë - Kombet e Para, me Metis dhe Inuit - së bashku me personalitete të kishës dhe politikë, përfshirë kryeministrin Justin Trudeau.
Papa e kaloi pjesën tjetër të ditës duke pushuar në një seminar në kryeqytetin e provincës.
Ky është një hap me rëndësi në përpjekjet e Kishës Katolike për t'u pajtuar me komunitetet vendase dhe për t'i ndihmuar ata të shërohen pas brezave të tërë me trauma.
Françesku ka thënë se vizita e tij është një "pelegrinazh pendimi" për të kërkuar falje në tokën kanadeze për "mëkatin" që u është bërë popujve vendas nga misionarët katolikë.
LEXO TE NGJASHME