Tre të vrarë, disa të plagosur rëndë nga sulmuesi në qendrën tregtare në Kopenhagen
Danimarkë - Policia daneze thotë se nuk ka përjashtuar një akt terrorist për të shtënat masive të së dielës pasdite në një qendër tregtare në Kopenhagen që la të vdekur tre persona dhe disa të tjerë të plagosur. Megjithatë po punohet për hipotezën se sulmuesi ka vepruar i vetëm.
Ata konfirmuan se po hetonin videot e postuara në internet që pretendonin se tregonin të dyshuarin me armë të drejtuara në temthin e tij, duke ngritur pikëpyetje mbi gjendjen e tij psikiatrike.
Një 22-vjeçar i arrestuar pranë vendit të ngjarjes është akuzuar për vrasje nga pakujdesia dhe pritet të merret në pyetje nga një gjykatës të hënën. Policia e ka cilësuar atë si një “danez vendas”. Kryeinspektori i policisë së Kopenhagës, Søren Thomassen tha se ai ishte i njohur për policinë "vetëm pak".
I riu, i armatosur me një pushkë të madhe sipas dëshmitarëve, u arrestua pa dhunë pak pas mbërritjes së policisë në periferi të qendrës tregtare Fields, që ndodhet midis qendrës së qytetit dhe aeroportit ndërkombëtar të kryeqytetit danez.
“Ka tre të vdekur dhe disa të plagosur, tre prej tyre në gjendje kritike”, tha Thomassen në një konferencë për shtyp.
Tre të vrarët ishin një burrë rreth të dyzetave dhe dy të rinj, mosha e të cilëve nuk u specifikua. Thomassen hodhi poshtë raportet se autori mund të ketë synuar mbi njerëz të veçantë.
"Ne nuk kemi asgjë për ta mbështetur këtë, dhe jemi gjithashtu të vetëdijshëm se në mediat sociale po flitet me bollëk nëse duhet të ketë një motiv racist për ndonjë nga këto apo ndonjë formë tjetër motivi. Thjesht nuk mund të themi se ne kemi diçka për ta mbështetur këtë tani”, tha ai.
Një prani e madhe policie u vendos në vendin e të shtënave dhe në disa vende rreth Kopenhagës, në kontrast të fortë me skenat festive dy ditë më parë kur Tour de France kaloi nëpër kryeqytetin danez.
Sulmuesi qe vinte rrotull qendres tregtare me armë
LEXO TE NGJASHME